E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Papunësia do të kalojë shifrën 20 për qind deri në fund të vitit 2009

Papunësia pësoi rritje gjatë fundit të vitit 2008 dhe fillimit të këtij viti

Ervin KOÇI

Papunësia në Shqipëri ka tendencë që të rritet deri në fund të vitit 2009 dhe të kalojë të gjitha parashikimet negative. Niveli i saj mund të prekë deri në 20 për qind, duke shënuar kështu rekorde historike. Këto parashikime janë bërë në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë, në të cilin është analizuar ecuria ekonomike e vendit gjatë 5 muajve të parë të vitit 2009, si dhe situata për të ardhmen. Sipas këtij raporti, “papunësia ka pësuar rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008 dhe tendenca është rritja e saj e mëtejshme gjatë këtij viti si pasojë e krizës”. Banka e Shqipërisë në analizën e saj për Stabilitetin Financiar të vendit është bazuar në vrojtim të individëve dhe bizneseve të kryera gjatë kësaj periudhe. Por ndërsa BSH-ja raporton rënie të punësimit dhe rritje të papunësisë, statistikat zyrtare që grumbullohen nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, si dhe publikohen nga Instituti i Statistikave, flasin për një situatë krejt të ndryshme. Kështu, po për tremujorin e katërt të vitit 2008, numri i të punësuarve në Shqipëri u rrit me 4200 vetë, një shifër kjo shumë e lartë për vetëm tre muaj, për shkak se sipas të njëjtave statistika, punësimi në Shqipëri është rritur me hap breshke që nga viti 2001.

Raporti

"Rezultatet e vrojtimit për individët, tregojnë se niveli i papunësisë për tremujorin e fundit të vitit 2008 është rritur ndjeshëm. Këtë gjë e konfirmon edhe rezultati i vrojtimit për të njëjtën periudhë të sektorëve të industrisë dhe të shërbimeve, të cilët kanë ulur punëzënien",- thotë BSH-ja në analizën e vet. Përjashtim bën sektori i ndërtimit, i cili shfaq një rritje të punëzënies në tremujorin e katërt të vitit 2008. "Sektori i industrisë pret ulje të kapaciteteve të tij të punësimit, ndonëse në mënyrë më të zbutur në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2008", vijon BSH. Sipas BSH-së, shqetësim përbën veçanërisht fakti se rritja e papunësisë mund të shkaktojë probleme zinxhir në të gjithë ekonominë e vendit. "Rezulton se me forcimin e mundshëm të efekteve të krizës ndërkombëtare në ekonominë e vendit aftësia e sektorit të ekonomive familjare për të gjeneruar të ardhura nëpërmjet punëzënies mund të bjerë", thotë BSH. Me rënien e nivelit të të ardhurave, rreziku që i kanoset sistemit financiar nëpërmjet cilësisë së kredidhënies për këtë sektor do të rritet.

Rënia e kursimeve

Një tjetër kanal përcjellës do të ishte rënia korresponduese në kursime, e cila do të vështirësonte gjenerimin e burimeve të sistemit bankar në formën e depozitave. Për më tepër, duke qenë se një gjë e tillë rrit pasigurinë e familjeve, në të ardhmen pritet një korrektim i konsumit dhe për pasojë, vështirësi të mëtejshme në shitjet për bizneset. Pas një periudhe kohe relativisht të gjatë të rritjes së shpejtë të kërkesës, një korrektim i tillë mund të sjellë përparësinë e pakësimit të kërkesës për importe dhe korrektimin e deficitit tregtar, duke lehtësuar kështu presionin mbi kursin e këmbimit. Ndodh shumë shpesh që të dhënat e ministrive kryesore të bien ndesh me rezultatet e Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit ka krijuar me kalimin e kohës sistemin më të mirë në vend për grumbullimin dhe përpunimin e informacionit statistikor.

Shkurt///////////////////////////////
“Vodafone Happy Weekend” dhe “Vodafone Club Non Stop”, dy surpriza verore

“Vodafone Albania” sërish i shpërblen klientët e saj për besimin dhe zgjedhjen e tyre, dhe kësisoj hedh në treg një tjetër skemë zbritje që do i bëjë fundjavat e tyre edhe më të gëzuara. Kjo skeme e re tërheqëse, e prezantuar për herë të parë në tregun shqiptar nga kompania “Vodafone Albania”, i jep mundësi klientëve të dyfishojnë sasinë totale të kreditit që ata shpenzojnë gjatë javës (e hënë 00:01- e premte 23-59) dhe të kenë mundësi të kryejnë thirrje falas gjatë fundjavës. Vodafone i përgjigjet kështu nevojës për komunikim të vazhdueshëm me miqtë dhe të afërmit, sidomos tani që vera ka arritur kulmin e saj. Me ofertën e re, e cila ka startuar prej datës 15 qershor deri në datën 26 korrik, përdoruesit do të kenë mundësi të flasin me të dashurit e tyre për një kohë edhe më të gjatë. Pavarësisht nëse jeni ende në punë apo me pushime, ju mund ti ndani emocionet dhe kënaqësitë e pushimeve tuaja me një skemë e cila i shton minutat e komunikimit. Sa më shumë të flisni gjatë javës, aq më gjatë do të mund të flisni gjatë fundjavës. Kjo mund të arrihet si me mesazhe SMS ashtu edhe MMS, prandaj mos hezitoni të bëheni pjese e kësaj skeme duke dërguar një SMS bosh në numrin 15116. Ndërkohë duke filluar nga data 1 korrik të gjithë anëtarët e “Vodafone Club” kanë filluar të flasin non-stop me pjesëtarët e grupit, si dhe 30 minuta me numra të tjerë kombëtarë. Përmes paketës “Vodafone Club Non Stop”, duke paguar vetëm 700 lekë (me TVSH) ju përfitoni 1000 minuta për telefonata drejt anëtarëve të tjerë të “Vodafone Club”, si dhe 30 minuta për telefonata drejt çdo numri tjetër kombëtar. Për të gjithë ju qe jeni aktivizuar deri tani duhet të telefononi në numrin 15112. Minutat e paketës do të jenë të vlefshme për 15 ditë qe nga momenti i aktivizimit, ndërsa klientët mund të përdorin deri në dy paketa të tilla në muaj. Minutat nuk janë të vlefshme për telefonatat Roaming, ndërkohë që kjo ofertë është e vlefshme deri në 31 korrik 2009.

Rregullorja e licencimit, ndërtuesit reagojnë ndaj sanksioneve të qeverisë

Shoqata e Ndërtuesve shpjegon se vendimi i dy ditëve më parë për pjesëmarrjen në tendera që ka dalë nga zyrat e qeverisë është i ndryshëm nga deklaratat e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, sqaron vendimin që sipas tij konsiston në një ndryshim të rregullores së licencimit. “Vendimi i qeverisë bën një ndryshim në rregulloren e licencimit. Sipas rregullores ekzistuese janë përcaktuar nivelet për të cilat firmat janë licencuar. Ky vendim saktëson se nuk do të procedohet më me këto vlera që janë në licencë, por do të procedohet me 70 për qind të vlerave të tyre. Ne e quajmë pozitiv si rregullim, sepse po të pranojmë vetëm faktin që në kushtet e kësaj krize krijohet një mundësi për të marrë pjesë një numër më i madh firmash”- u shpreh kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Muçi. Ndërtuesit hedhin poshtë edhe deklaratat e kryeministrit Berisha për bashkëpunim me kompanitë e ndërtimit, gjë që sipas tyre nuk ka ndodhur. “U fol shumë për bashkëpunim midis qeverisë dhe firmave të ndërtimit, do na pëlqente shumë që realiteti të ishte ky, faktikisht deri më sot nuk ka qenë kështu. Nuk kemi gjetur gjithmonë mirëkuptimin dhe kooperimin”- tha Muçi. Shoqata e Ndërtuesve i konsideron të pabaza edhe akuzat e kreut të qeverisë për zvarritje të afateve të punimeve në veprat publike për shkak të mos sigurimit të teknologjisë apo fuqizimit të stafit. “Që në momentin e marrjes në dorëzim të një ndërtimi të një objekti që nuk mbulohet nga kapacitet që disponon, firma bën çdo përpjekje për ta siguruar këtë teknologji dhe për të shtuar kapacitetin e fuqisë punëtorë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një financim të sigurtë siç është shteti, nuk është ky problem”- tha Muçi.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›