E Diel, 1 Nëntor 2026

Meksi: Qeveria po godet biznesin për të rifituar shpenzimet elektorale

Ermelinda Meksi deklaroi se qeveria rriti indirekt taksat për mallrat që nuk vijnë nga BE-ja

Kandidatja për deputete e PS-së në Fier, Ermalinda meksi ka goditur dje atë që ajo e quajti si taktikën e qeverisë për të rifituar paret e harxhuara gjatë fushatës elektorale. Sipas Meksit, qeveria ka rritur taksën doganore për disa mallra të caktuara si dhe rritjen indirekte të taksave doganore për mallrat që nuk vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, e kryesisht nga Kina nëpërmjet ndryshimit të mënyrës së zhdoganimit. “`Tërheqim vëmendjen për kohën pasi duhen më shumë se dy muaj të mblidhet parlamenti që do ratifikojë këtë ndryshim por dhe mungesën e transparencës për këtë ndryshim fiskal, që do të ketë pasoja tepër negative për bizneset e konsumatorët në vend. Në kundërshtim me standardin e transparencës në vendimmarrje dhe komunikimit me biznesin, një lëvizje e tillë në drejtimin e gabuar bëhet në kushtet e mungesës totale të komunikimit më Këshillin Konsultativ të Biznesit, siç detyron ligji respektiv dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm që mbrojnë interesat e sektorit privat në vend”, tha Meksi.
Deklarata
Sipas Meksit, arroganca e qeverisë dhe Kryeministrit në detyrë, në një vendimmarrje të tillë shpërfill dhimbshëm interesat ekonomike të bizneseve dhe konsumatorëve që në të njëjtën kohë duhet të përballen me krizën ekonomike duke goditur kështu më rëndë dhe në mënyrë krejt të papritur ata që në këtë moment duhet t’i mbështeste me politika lehtësuese. “Vërejmë me keqardhje se demagogjia elektorale u vërtetua të jetë e tillë vetëm disa ditë pas 28 qershorit. Këto veprime kanë efekt psikologjik tepër negativ e demoralizues për biznesin dhe godasin rëndë klimën e besimit për të cilën ka vite që punohet. Partia Socialiste e ka pasur të qartë dhe ka paralajmëruar prej kohësh rreziqet që vinin nga marrëzia e madhështisë së fushatës elektorale qeveritare ku shpenzimet rriteshin në mënyrë paradoksale në krahasim me të ardhurat në buxhet. Për fat të keq ky skenar shpenzimesh kryhej dhe vazhdon akoma në kuadrin e diskutimeve qesharake mbi shifrat e rritjes ekonomike dhe mohimit kokëfortë të realitetit ekonomik. Deficiti buxhetor është rritur nga një muaj në tjetrin, nga – 3.7 miliard në Mars, në 9.8 miliard në Prill, -20.2 miliard në Maj”, deklaroi Ermelinda Meksi.
Rritja
Sipas kandidates për deputete të PS-së, cilido qeveritar i përgjegjshëm do ta kishte të vështirë të tregohej euforik ndaj këtyre të dhënave shqetësuese që kanë sjellë rritjen e deficitit buxhetor si pesëmujor në minus 20.2 miliard lekë përkundrejt suficitit prej plus 5,9 miliard lekë që kishim një vit më parë si pesëmujor. “Për këtë arsye BSH paralajmëroi qeverinë se duhet të bëjë kujdes me deficitin buxhetor,si kusht që do të rriste besueshmërinë tek investitorët dhe ruante stabilitetin ekonomik. Pasi mungesa e likuiditetit është shoqëruar me rritjen e kostos së financimit të deficitit buxhetor, duke sjellë rritjen e ngarkesës fiskale nga qeveria. Pas rritjes galopante të borxhit të jashtëm dhe të brendshëm gjatë kësaj periudhe filloi praktika e rritjes të tatim taksave, etj

Në kundërshtim me premtimet elektorale për taksa të ulëta kjo rritje e barrës fiskale që propozohet, pavarësisht ndonjë nxitje të përkohshme të tregtimit të artikujve të akcizës për të shfrytëzuar kohën para aprovimit në parlament të këtij ndryshimi, do sjellë rritjen e çmimeve dhe rënien e kërkesës për produkte,çka do të ndikojë në përkeqësimin e treguesve ekonomikë dhe në veçanti të papunësisë”, deklaroi Meksi

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›