E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohet nga Italia, Besim Doku vrau për hakmarrje

 

TIRANE - Interpoli ka arrestuar tre ditë më parë në Torino të Italisë Besim Dokun, të dënuar me 23 vjet burg për vrasje dhe plagosje të kryer në bashkëpunim. Dy ditë pas arrestimit, ai është ekstraduar nga Italia për në Shqipëri, ku do të kryejë dënimin e caktuar në mungesë nga Gjykata e Apelit. Burime nga policia bënë të ditur se ngjarja për të cilën akuzohet Doku ka ndodhur më 19 maj të vitit 1997, rreth orës 21:00, në vendin e quajtur Bregu i Lumit, Tiranë, ku i ekstraduari, në bashkëpunim me kushëririn e tij Artur Doku, kanë vrarë me armë zjarri Ilmi Cukën dhe kanë plagosur vëllain e tij, Dalip Cuka, për motive hakmarrje. Duke përfituar nga disa ngatërresa proceduriale nga Gjykata e Faktit të Tiranës, Doku ka marrë pafajësinë dhe është larguar në drejtim të Italisë. Më pas është gjykuar në mungesë, kur Apeli ka kthyer për gjykim çështjen e tij dhe në vitin 2004 është shpallur fajtor. Nga rishqyrtimi i çështjes ka rezultuar e provuar se Artur dhe Besim Doku janë kushërinj midis tyre dhe banojnë së bashku me familjen Cuka në lagjen Bregu i Lumit Tiranë. Izmir Doku para disa vitesh ka qenë baxhanak me Dalip Cukën, më vonë e fejuara e Izmir Dokut prishi fejesën dhe martohet me Bardhyl Cenën nga Kukësi. Gjithashtu familja Cuka në afërsi të banesës kishte një lokal. Në vitin 1996, me qëllimin që makinat të mos kalonin me shpejtësi në rrugën para lokalit, ata hapën një kanal. Prishja e fejesës dhe hapja e kanalit, i cili pengonte qarkullimin normal të automjeteve sollën një zënkë midis Izmir Dokut, kushëririt të Besim Dokut dhe të dëmtuarit Mexhit Cuka, e cila më pas u bë shkas për ndodhjen e ngjarjeve shumë të rënda. Më 19 maj 1997 rreth orës 21:00, Dalip Cuka së bashku me viktimën Ilmi Cuka dhe Bardhyl Cenën po ktheheshin nga fshati Laknas për te Bregu i Lumit. Dalip Cuka ka qenë në sediljen e parë të autoveturës me targë të Shkodrës në krah të shoferit Bardhyl Cena, ndërsa Ilmi Cuka ka qenë në sediljen e pasme. Sapo kanë mbërritur në lagjen Bregu i Lumit, në afërsi të klubit të Sami Delia, në një distancë rreth 10 metra larg shtëpisë së tyre, u dalin përpara të pandehurit Artur Doku, Besim Doku dhe Izmir Doku të cilët mbanin në duar armë automatike. Artur dhe Besim Doku kanë qëlluar me armët automatike në drejtim të autoveturës, për pasojë plagoset dhe më pas vdes në spital Ilmi Cuka, gjithashtu plagoset dhe vëllai i tij, Dalip Cuka.               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›