E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: “Prurjet e emigrantëve bien 5 për qind këtë vit”



Sipas raportit të miratuar nga Këshillit Mbikëqyrës i BSH-së, bilanci i përgjithshëm i pagesave për tremujorin e parë të '08, rezultoi me një pakësim mjetesh valutore në masën 25.7 milionë euro. Deficiti korrent, për këtë tremujor, u vlerësua 183 milionë euro, me një rritje prej rreth 39 për qind kundrejt së njëjtës periudhë të vitit 2007. Deficiti tregtar për këtë periudhë vlerësohet në 531 milionë euro, ose 20 për qind më i lartë se në tremujorin e parë të vitit 2007. Raporti i mbulimit të importeve nga eksportet mbetet në nivele të ulëta (28 për qind), theksohet në raportin e BSH-së. Importet e produkteve ushqimore janë rritur me rreth 21 milionë euro në vlerë absolute (26 për qind), duke përfaqësuar 13 për qind të totalit të importeve të vendit tonë. Kurse importet e karburantit gjatë këtij tremujori kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej rreth 46.7 për qind. Prej saj, vetëm 1.5 për qind i dedikohet rritjes si pasojë e kërkesës për karburante, ndërsa 44.5 për qind vjen si rezultat i rritjes së çmimit të tyre. Nevoja e popullsisë për mallra konsumi ka rezultuar në rritje të importeve të kësaj kategorie, duke përkeqësuar hendekun tregtar dhe si rezultat deficitin korrent. Transfertat korente edhe këtë tremujor përfaqësohen kryesisht nga dërgesat e emigrantëve në familjet e tyre. Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, këto transferta vlerësohen 5 për qind më të ulëta, pasi vihet re një zhvendosje e këtyre flukseve valutore nga ato për përdorim korent, në formën e investimeve. Një tregues i përkeqësuar ndjeshëm është ai i rezervave të autoritetit monetar qendror, të cilat rezultojnë të kenë rënë me 25.7 milionë euro.

Bizneset e huaja, Italia zë vendin e parë, grekët investojnë më tepër

Që nga koha e liberalizimit të tregut, dy vendet fqinje, anëtare të Bashkimit Europian, Italia dhe Greqia, e kanë parë njëra-tjetrën si rivale përsa u përket shkëmbimeve tregtare, numrit të bizneseve dhe aftësisë për të investuar më tepër. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, për vitin 2007, Italia ka pasur numrin më të madh të bizneseve, që operojnë në tregun shqiptar, me një prezencë kapitalesh në rreth 51 për qind. Në këtë pikë, bizneset greke ndodhen në pozicion dominues në treg me rreth 24,3 për qind, por për sa i përket volumit të investimeve, fqinjët jugorë ndodhen të parët. Kështu, volumi i investimeve të kryera nga bizneset greke rezulton në masën 48 për qind, pas tyre italianët me rreth 30 për qind, ndërsa pjesa tjetër e tregut dominohet nga bizneset e vendeve si Turqia etj. Sipas të dhënave zyrtare nga "Albinvest", strukturë shtetërore që ndihmon zhvillimin e eksporteve shqiptare, në vendin tonë numërohen rreth 1 mijë subjekte private me kapital të huaj. Lidhur me tregtinë e jashtme, si për eksportet, ashtu dhe importet, Italia zë vendin e parë, e ndjekur nga Greqia. Konkretisht, për vitin 2007, Shqipëria ka kryer një nivel importi nga Italia në masën 827 milionë euro, ndërsa me Greqinë, rreth 444 milionë euro. Ndërsa, për sa u përket eksporteve, me fqinjët përtej Adriatikut, niveli i regjistruar shënon 533 milionë euro, ndërsa me vendin grek, rreth 65 milionë euro, me një rritje me 16 dhe 10 për qind.

AMF, rriten me 46 për qind sigurimet për rreziqet nga zjarri

Gjithnjë e më shumë bizneset po sigurojnë pronën e tyre nga zjarret, pasi pasojat që kanë krijuar rastet e viteve të fundit në ekonominë vendase, i kanë ndërgjegjësuar ata për nevojën e sigurimit të pronave të tyre. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në portofolin "Zjarri dhe rreziqet shtesë", ndihet një rritje prej 46 për qind e numrit të kontratave të sigurimit dhe ulje me rreth 2 për qind të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, që shpjegohet dhe me marrjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla. Të dhënat e AMF-së tregojnë se numri i subjekteve që kanë lidhur kontrata për sigurimin e pronës nga zjarri është rritur, por kompanitë e sigurimeve nuk kanë përfituar rritje të vlerave monetare nga ky lloj sigurimi, për shkak se kontratat kanë pasur vlerë të vogël.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›