E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Program i ri i PS-së, zhvillim dhe mbështetje për fshatin”



Është zhvilluar Konferenca Rajonale për problemet e Bujqësisë në Qarkun e Durrësit. Gjatë punimeve të kësaj konference infrastruktura rrugore e zonave rurale ishte një nga problemet më të diskutuara ku theksi u vu tek një infrastrukturë e cila shumë pak stimulon daljen në treg të produkteve bujqësore. Ngritja e tregjeve rajonale të produkteve bujqësore u diskutua në këtë konferencë si një domosdoshmëri për të stimuluar më tej rritjen e produkteve bujqësore e blegtorale. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh se është koha për ti kushtuar më tepër vëmendje problemeve të bujqësisë dhe blegtorisë. Rama gjatë kësaj konference nënvizoi se programi i ri i socialistëve do të ketë të përfshira të gjitha idetë dhe sugjerimet për ngritjen në këmbë të bujqësisë dhe blegtorisë së vendit. “Na duhet një patriotizëm i ri, për fshatin, për bujqësinë, për blegtorinë, për zhvillimin rural, si pjesë themelore e zhvillimit tonë kombëtar. Pa këtë patriotizëm të ri, pa këtë këndvështrim të ri mbi fshatin, nuk mund të kemi një Shqipëri të re, moderne dhe evropiane. Nuk mund të bëjmë asnjë hap përpara për mirëqenien, për të lehtësuar qytetin dhe familjet shqiptare. Pa asnjë dyshim, bujqësia duhet të ketë një pozicion tërësisht tjetër në politikën kombëtare dhe qeverisëse, në raportin tonë me njerëzit”, - tha Rama.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›