E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: “Biznesi vendas mbijeton me paratë e kredive bankare”



Ervin Koçi

Banka e Shqipërisë ka dhënë dje sërish “alarmin” në lidhje me volumin mjaft të madh të kreditimit të ekonomisë vendase, nga i cili del se biznesi vendas qarkullon vetëm paratë e marra borxh në bankat private. Sipas një raporti të fundit të BSH-së, referuar vitit 2007, biznesi i vogël dhe i mesëm, por dhe ndërmarrjet e mëdha, vazhdojnë të kenë kërkesa të larta për të marrë kredi nga bankat. BSH-ja, në publikimin e saj dje të rezultateve të vrojtimit për aktivitetin kreditues, të bankave në gjashtëmujorin e dytë, 2007, bëri të ditur se, “rreth 90 për qind e bankave që ushtrojnë aktivitet në tregun bankar shqiptar, janë shprehur se, kërkesa e biznesit, sipas nevojave të përdorimit të kredisë, është 89 për qind për financim të investimeve, ndërsa 66 për qind për financimin e kapitalit qarkullues". Por pavarësisht kësaj, bankat raportojnë se do të vazhdojnë të forcojnë procedurat për politikat kredituese. Megjithëse, për korporatat, edhe pse politika do vazhdojë të jetë shtrënguese, pritet që ajo të jetë më e zbutur për dhënien e kredive për individë. Ndërkohë, për kreditë për kapital qarkullues dhe për investime, procedurat do të vazhdojnë të shtrëngohen më tej, bën të ditur BSH-ja, në raportin "Mbi vrojtimin e kreditimit".

Procedurat e kredidhënies

Bankat që operojnë në tregun shqiptar kanë shtrënguar ndjeshëm procedurat dhe politikat e kredidhënies për bizneset dhe për financimin e konsumit të individëve. BSH-ja, në raportin e publikuar pas përfundimit të vrojtimit që kreu, bëri të ditur se “bankat në kredinë për bizneset, janë treguar konservatore gjatë procesit të miratimit të kredive të reja për bizneset. Kjo, veçanërisht për bizneset e mëdha dhe për kreditë me afat të gjatë maturimi, në formën e kredive për investime”. Në lidhje me llojin e kredimarrësit, raporton Banka Qendrore, standardet e kredive për korporatat janë shtrënguar, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme (SME-të) kanë pasur një prirje modeste lehtësuese. Procedurat për njërën ose të dyja grupet, janë shtrënguar nga 4 prej bankave, që zënë 53 për qind të tregut, kundrejt 32 për qind të tregut që zënë bankat të cilat kanë ndjekur politika lehtësuese. Në lidhje me mënyrën e përdorimit të kredisë, bankat janë treguar më konservatore si në dhënien e kredive për investime afatgjata, ashtu dhe për nevoja të kapitalit qarkullues të korporatave. Sipas BSH-së, kjo politikë konservatore e ndjekur nga bankat është nxitur nga shqetësimi mbi problemet specifike të sektorit ku ndërmarrjet operojnë, rritja e treguesve të kredive me probleme dhe paqartësitë për zhvillimet aktuale dhe të pritshme makroekonomike. Por nga ana tjetër dhe ndikimi i politikës monetare ka qenë i moderuar dhe, siç pritet, ka ndikuar në shtrëngimin e procedurave. Ndërkohë që mirëkapitalizimi i sistemit dhe konkurrenca e lartë kanë ndikuar në zbutjen dhe përqasjen shtrënguese të ndjekur nga bankat.

Bizneset e falimentuara

Pas raporteve të njëpasnjëshme të Bankës së Shqipërisë, ku ngrihet shqetësimi i nivelit të lartë të kredive të pashlyera nga individët, tashmë bizneset ngrenë një tjetër rrezik për sistemin bankar. "Konfindustria", në emër të bizneseve industriale, anëtare të saj, me anë të një komunikate për shtyp, i bën thirrje Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Tatim-Taksave, për marrjen e masave ligjore, që bëjnë të mundur shmangien e "pasojave mjaft të rënda për ekonominë shqiptare dhe stabilitetin e vendit nga kreditimi joprofesional dhe subjektiv i bankave të nivelit të dytë për kompanitë me humbje të vazhdueshme financiare". Letra dërguar dy institucioneve fiskale, për dijeni dhe të kryeministrit Berisha, përmban disa kërkesa ku synohet shmangia e këtij fenomeni negativ. "Konfindustria" kërkon kryesisht nga Tatim-Taksat nxjerrjen e emrave të subjekteve apo shoqërive tregtare me nivel borxhi të rrezikshëm krahasimisht me vlerën e aseteve të veta. Jo vetëm kaq, por me anë të kësaj shkrese, administratori i përgjithshëm i "Konfindustrisë", Gjergj Buxhuku, kërkon listimin e bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve të tjera financiare dhe masën përkatëse të "kredive të këqija" në portofolin e tyre. Në raportin e fundit mbi situatën e kreditimit në ekonomi (mars 2008), BSH-ja tregoi se, niveli i kredive "të këqija", ka arritur në masën e rreth 3.92 për qind, ose e shprehur në vlerë monetare, rreth 300 milionë euro. Rreziku është i qartë dhe mundësia mbetet reale, që shuma të mëdha të kredive të dhëna nga bankat e nivelit të dytë janë marrë dhe mbajnë në këmbë biznese piramide, që rezultojnë prej vitesh me humbje, duke krijuar pas vetes edhe një zinxhir të madh kreditorësh. Humbjet e krijuara të këtyre kompanive piramidale dhe maskimi në vite nëpërmjet kredive bankare të dhëna me subjektivizëm, janë një “bombë me sahat” për sistemin bankar.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›