Prokuroria provon origjinën e armëve të bllokuara në Kukës
Luan Kondi
TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur origjinën e 100 pistoletave të bllokuara pesë ditë me parë në qarkun e Kukësit. Burime nga kjo prokurori, bënë të ditur se grupi hetimor ka administruar prova të shumta që tregojnë se kjo sasi armësh e destinuar për trafik, kishte hyrë në Shqipëri nga Kosova dhe destinacion kishin Greqinë. Provat u grumbulluan falë punës operative dhe dëshmive që dhanë persona që kanë lidhje me ngjarjen. Për arsye hetimore organi i akuzës do ti mbajë të fshehtë emrat e personave që kanë dhënë dëshmi në favor të tij. Mendohet që surpriza të bëhet gjatë hetimit kur të akuzuarve do t’u thuhen edhe provat që ka mundur të sigurohen nga Prokuroria.
Të arrestuarit
Aktualisht, nën hetim për këtë çështje janë katër persona: Fiqiret Onuzi, 26 vjeç, Alfred Qafa, 25 vjeç, Bujar Ajeti (Gërmizi), 37 vjeç dhe Baftjar Halili, 31 vjeç, të cilët u kapën në kushtet e flagrancës para pesë ditësh në Kukës, duke transportuar me furgon 100 pistoleta në drejtim të Tiranës.
Personat e mësipërm u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Stuhia”, i cili u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burimet thanë se nuk kanë kaluar vetëm disa muaj qetësi dhe u riaktivizua sërish linja e trafikut të armëve nga Kosova në Shqipëri. Armët e vogla që dyshohet se e kanë origjinën nga Turqia, hynë në Shqipëri pak para të mëngjesit të datës 20 qershor nëpërmjet pikës doganore të Morinës dhe kishin si destinacion tregun grek.
Operacioni
Pas më shumë se dy muajsh hetime, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokuroria për Krime të Rënda bënë të mundur arrestimin e katër personave, të cilët po transportonin dhe sasinë e armëve, që nga një përllogaritje paraprake kapin vlerën e rreth 25 mijë dollarëve. Sipas policisë personat u kapën në flagrancë në aksin e rrugës Fushë-Arrës-Kukës, teksa transportonin me mjetin tip “Ford”, me targa KU 077 të tipit taksi 100 armë zjarri, pistoleta model “Mini Blow”, të kalibrit 6.35 mm. Megjithëse, jozyrtarisht, burime pranë Prokurorisë për Krime të Rënda thanë se kjo linjë trafiku hetohej prej rreth dy muajsh, kohë gjatë së cilës personat e përfshirë në trafik janë mbajtur nën përgjim. Megjithëse të parapërgatitur për një sasi të tillë armësh, forcat e policisë dhe prokuroria nuk kanë pritur që transportuesit të arrijnë në destinacion, i cili dyshohet se ishte kryeqyteti dhe qyteti bregdetar i Durrësit. Armët e destinuara për tregun grek janë porositur në Kosovë pak kohë më parë dhe pasi ato të mbërrinin në Tiranë e Durrës, do të niseshin drejt Greqisë për t’u shitur atje me çmimin 250-350 euro copa.
Kundërshtoi policin në krye të detyrës, ndalohet
Tiranë – Ofendoi policin në krye të detyrës, por ka përfunduar në qeli. Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kavajës kryen arrestimi në flagrancë të shtetasit Elvis Popa, 23 - vjeç, lindur dhe banues në Durrës, i dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje”.
Arrestimi i tij u krye sepse dy ditë më parë rreth orës 19.30, në aksin e rrugës Kavajë - Durrës, pranë stacionit të Golemit, ka fyer dhe kundërshtuar për shkak të detyrës dy punonjës policie rrugore. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale të ?Kundërshtimit të punonjësit të policisë të rendit publik? dhe të ?Fyerjes për shkak të detyrës?, parashikuar nga nenet 236/2 dhe 239/2 të Kodit Penal.
24 Qershor 2008