Berisha: “Mirëpresim propozimet e PS-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor”
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, është shprehur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së se do të mirëpresë çdo propozim të Partisë Socialiste për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Berisha bëri të ditur se qeveria që ai drejton dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike janë të hapur për të bashkëpunuar me PS-në për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por edhe për reformën në fushën e Drejtësisë. “Shpresoj që reforma zgjedhore, reforma në Drejtësi dhe reformat në tërësi të ecin. Ne mirëpresim çdo vendosmëri të opozitës për të bashkëpunuar për reformën në Kodin Zgjedhor dhe reformën e institucioneve për të cilat është rënë dakord”, - tha kryeministri Berisha. Kjo deklaratë e kryeministrit Berisha ka ardhur vetëm pak ditë pas deklaratës së përfaqësuesve të PS-së, të cilët u shprehën për ndërmarrjen e nismës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që në këtë kod të pasqyrohet ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe mënyra e aplikimit të tij gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Partia Demokratike do të mbështesë gjithashtu edhe nismën e ndërmarrë nga Partia Socialiste për të ndryshuar Rregulloren e Kuvendit të Republikës. Pas vërejtjes së një vakuumi ligjor gjatë diskutimit në Kuvend të dekreteve të presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë, opozita ndërmori një nismë për të përcaktuar qartë në Rregulloren e Kuvendit procedurat që duhet të ndiqen në të tilla raste. Kjo nismë e opozitës është mbështetur dje dhe nga kryeministri Berisha. Burime kanë bërë të ditur se gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha është shprehur se në Rregulloren e Kuvendit duhet të vendosen afate për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, në mënyrë që të mos ketë vonesa në këtë drejtim. Kreu i qeverisë gjithashtu ka kërkuar vendosjen e një dispozite që presidenti të konsultohet me Kuvendin për dekretimin e këtyre anëtarëve, në mënyrë që të mos përsëritet më ajo që ndodhi me 5 dekretet që u rrëzuan vetëm një javë më parë nga maxhoranca.
24 Qershor 2008