E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor, PS-ja kërkon garanci nga PD-ja, LSI-ja akuzon për paktin e radhës

Leskaj: “Maxhoranca të nxitojë për kartat e identitetit dhe regjistrin e zgjedhësve” . Braho: “PS-PD, pakt të fshehtë edhe për hartimin e kodit të ri zgjedhor”

Shaban Sulçe
Mungesa e besimit vazhdon t’i shoqërojë partitë politike përsa i përket çështjes së realizimit të reformës zgjedhore. Edhe pse të gjitha palët shprehin vullnetin pro reformës zgjedhore për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, duket qartë që ky proces po çalon. Ndërkohë që Partia Demokratike shprehet e gatshme për të hartuar Kodin e ri Zgjedhor, Partia Socialiste kërkon garanci për sigurimin e regjistrit kombëtar të zgjedhësve dhe shpërndarjen e kartave të identitetit. Nga ana tjetër, LSI-ja e konsideron diskutimin për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor si proces farsë, ndërkohë që akuzon dy partitë e mëdha se po vënë në zbatim paktin e radhës PD-PS në kurriz të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Në të njëjtën linjë qëndron edhe Partia Republikane, e cila shpreh dyshime për ato çka fsheh nxitimi i PD-së dhe PS-së për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor.
Beja
Nënkryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja, u shpreh optimist për realizimin përfundimtar të reformës zgjedhore brenda këtij sesioni kuvendor. Sipas Bejës, kjo mund të arrihet nëse ekziston vullneti i partive për të nisur procedurat parlamentare. Për këtë ai kërkoi ngritjen në një kohë sa më të shpejtë të komisionit të posaçëm parlamentar, që do të merret me hartimin e propozimeve për Kodin e ri Zgjedhor. "Reforma zgjedhore duhet të ecë përpara. Grupet parlamentare duhet të diskutojnë për procedurat parlamentare, pasi vetëm atëherë mund të vendoset nëse do të jetë një komision i përhershëm apo një komision Ad Hoc", - u shpreh deputeti i PD-së, Fatos Beja.
Leskaj
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se PS-ja ka shfaqur qëndrim serioz përsa i përket angazhimit të saj për të çuar deri në fund reformën zgjedhore, që përkon me hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Por Leskaj theksoi se përpara këtij procesi është shumë i rëndësishëm garantimi i regjistrit kombëtar të zgjedhësve dhe pajisja e shqiptarëve me kartat e identitetit. “Përsa i përket reformës zgjedhore, ne jemi shprehur qartë besoj këto ditë. Partia Socialiste ka treguar seriozitetin e vet me grupin e punës duke punuar. I kemi kërkuar maxhorancës që të përshpejtojë punën dhe unë besoj se çështja e reformës zgjedhore është shumë më komplekse, sepse nuk mund të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm duke ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, në qoftë se nuk garantojmë kartat e identitetit dhe regjistrin. Ditën e shtunë unë kam kërkuar nga maxhoranca që të ketë disa afate kohore konkrete përsa i përket përfundimit dhe shpërndarjes. Deri sot nuk kemi asnjë përgjigje, përkundrazi, të gjitha përgjigjet kanë qenë një retorikë”, - tha Leskaj.
Braho
Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, tha se pas diskutimeve për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor fshihet akti i radhës i paktit të fshehtë midis PS-PD-së. Braho e akuzoi PS-në se po ndërmerr tradhtinë e tretë ndaj së majtës. “Nuk besojmë te reformat e PS-së dhe PD-së. LSI-ja është për një proces transparent dhe të hapur, ku të marrin pesë të gjitha partitë”, - tha Braho, i cili e akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, duke thënë se ai çdo ditë e më tepër po shfaq prirjet për të bashkëpunuar për hir të interesave të maxhorancës. Deputeti Braho, gjithsesi, konfirmoi vullnetin e LSI-së për të qenë pjesë e Komisionit parlamentar për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Sipas tij, propozimet e LSI-së në këtë komision do të ndikojnë në mbrojtjen e votave të shqiptarëve dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. "Duhet të ketë një prag kombëtar të barabartë për të gjitha rajonet. Do të kërkojmë pjesëmarrjen në procesin e numërimit dhe administrimit të votave të faktorëve politikë, si dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim edhe për pjesëmarrjen e emigrantëve në votim", - tha Braho. Dyshime për procesin e hartimit të Kodit të ri Zgjedhor ka shprehur edhe Partia Republikane. Kryetari i Grupit Parlamentar republikan, Arian Madhi, tha se në të gjithë eksperiencën politike 17-vjeçare nuk ka ndodhur kurrë që me kaq urgjencë të fillojnë proceset për reformën zgjedhore dhe kjo pa dyshim fsheh dyshime për planet që mbartin dy partitë e mëdha, PS dhe PD.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›