E Shtunë, 31 Tetor 2026

KMK, sot kërkesa për referendum në Gjykatën Kushtetuese



Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës do të depozitojë sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për organizimin e referendumit. Drejtimi i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjykatën Kushtetuese vjen pas refuzimit që i ka bërë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkesës për organizimin e referendumit. Pas zbardhjes së vendimit nga ana e KQZ-së, grupi i ekspertëve dhe i juristëve të KMK-së tashmë ka hartuar dhe ka gati kërkesën ankimuese në Gjykatën Kushtetuese. Pikërisht në këtë institucion pritet të depozitohet sot kërkesa për organizimin e referendumit.
Po sot, përfaqësues të Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës priten të zhvillojnë edhe një konferencë për shtyp në lidhje me këtë çështje. Në datën 28 maj, Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës depozitoi kërkesën pranë KQZ-së për organizimin e referendumit për Mbrojtjen e Kushtetutës, pas ndryshimeve që iu bënë asaj gjatë seancës së 21 prillit nga deputetët e dy partive të mëdha. Kërkesa që u depozitua në KQZ mbante firmën e 20 firmëtarëve të parë, që përbënin grupin nismëtar që kërkonte zhvillimin e referendumit. Midis tyre spikasnin emrat e dy ish-presidentëve, Meidani dhe Moisiu. Por në mbledhjen shqyrtuese të datës 5 qershor, KQZ e rrëzoi këtë kërkesë, ndërkohë që Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës deklaroi se do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëroi zhvillimin e protestave në të gjithë Shqipërinë.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›