E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Nuland: Stabiliteti i Kosovës, siguri për rajonin

Berisha merr inkurajimin e SHBA-së për të vazhduar reformat
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje inkurajimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vazhduar reformat, bazuar edhe në perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky inkurajim është bërë dje nga përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në NATO, Viktoria Nuland, gjatë një takimi që ajo ka pasur dje me kreun e qeverisë shqiptare në selinë e NATO-s. Gjatë takimit, Nuland i shprehu Kryeministrit Berisha përgëzimet e saj për arritjet e Shqipërisë në progresin e reformave të ndërmarra në shumë fusha me rëndësi për zhvillimin e vendit, si dhe në kuadër të marrjes se ftesës për anëtarësim, në Samitin e Bukureshtit, duke shprehur interesim për ecurinë e këtyre reformave dhe stadin e tyre të deritanishëm. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e njohu atë me progresin e reformave të ndërmarra në sektorin ekonomik, ku u ndal në mënyrë të veçantë në revolucionin fiskal. Kryeministri theksoi se, si rezultat i këtyre përpjekjeve, ekonomia e vendit ka shënuar një rritje vjetore prej 6%, duke qenë sipas tij vendi me barrën fiskale më të ulët në Evrope. Ndër të tjera, Kryeministri u ndal në angazhimin e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, informalitetin, etj. Gjatë takimit dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi situatën në rajon dhe mbi zgjidhjen e statusit të Kosovës. Berisha dhe Nuland ndanë të njëjtin qëndrim se stabiliteti i Kosovës dhe zgjidhja sa më e shpejtë e statusit të saj, në respektim të plotë të drejtave dhe lirive të pakicave serbe, është një siguri për paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe për një të ardhme integruese në Evropë për Serbinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›