Brace: Qeveria favorizoi "Ecorys Group"
Me propozimin e Ministrisë së Transporteve qeveria ka ndryshuar procedurat e tenderimit të zgjedhjes së kompanisë konsulente
Ecorys Group paracaktohet të përgatitë dokumentet e tenderit si dhe të vlerësojë çmimet e kontratës, duke konfirmuar se është partnere e qeverisë
TIRANË- Përzgjedhja e kompanisë hollandeze "Ecorys Group" si konsulente për hartimin e projektit të zbatimit dhe përgatitjes së dokumenteve të tenderit për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash është bërë në kundërshtim me legjislacionin shqiptar. Në këtë konstatim arrin raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit sa i përket fazës së parë të hetimit të tij që ka të bëj me kontrollin e procedurave tenderuese për kompanitë konsulente. Ashtu si një ditë më parë, nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe duke iu referuar këtij raporti ka sjellë në vëmendje të publikut të gjithë skemën veprimeve të ndjekur nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ministria e Transporteve në lidhje me përzgjedhjen e kompanisë konsulente. Kështu Braçe ka bërë të ditur se në raportin në fjalë evidentohet fakti se me ndërhyrjen dhe propozimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ministrisë së Transporteve qeveria ka ndryshuar procedurat e tenderimit të zgjedhjes së kompanisë konsulente nga tender i hapur në tender me prokurim të drejtpërdrejtë, duke favorizuar Ecorys Group. Duke hulumtuar raportin, Braçe konstaton se më datë 15.03.2006, qeveria e Shqipërisë ka marrë një vendim me anë të cilit urdhëron nisjen e procedurës tender i hapur, sipas rregullave të Bankës Botërore, për të përzgjedhur konsulentët e hartimit të projektit të zbatimit dhe përgatitjes së dokumenteve të tenderit. Më datë 9.6.2006, në përputhje me rregullat e BB-së, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ka kualifikuar 6 kompani të huaja për të vazhduar fazën e mëtejshme të këtij tenderi, ku natyrisht mes këtyre kompanive nuk rezultonte Ecorys Group. Në këtë fazë sipas raportit në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik ndërhyn Ministri i Transporteve Lulëzim Basha i cili në bazë të propozimit të DPRR-së i kërkon qeverisë që ndryshoj procedurat e tenderimit duke kërkuar një tender me prokurim të drejtpërdrejtë. "Pjesë e dhunimit, bëhet edhe qeveria e kryesuar nga Sali Berisha, duke i hapur rrugë Ecorys Group, të bëhet pjesë e tenderit për konsulencën. Ecorys Group paracaktohet të përgatitë dokumentet e tenderit si dhe të vlerësoj çmimet e kontratës, duke konfirmuar se është partnere e qeverisë", - u shpreh Braçe. Sipas Braçes, Ecorys Group ka qenë e paracaktuar si fituese edhe para se të fillonin procedurat e prokurimit të drejtpërdrejtë. Kjo pasi edhe sipas raportit më datë 20 07 2006 është lidhur kontrata midis DPRR dhe Ecorys Group për të kryer këto shërbime, ndërkohë që paralelisht me këto procedura ministri Basha ka hapur procedurat për tenderin e zbatimit. Në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 14 07 2006 qeveria lejon DPRR të përdor procedurën e tenderit të hapur nderkombëtar. Pra sipas raportit qeveria 6 ditë para se të përcaktonte Ecorys Group ka përcaktuar kriteret e tenderit të ndërtimit, të cilat faktikisht duhet të ishin objekt i punës së Ecorys Group. Në faqen 20 raporti i KLSH-së arrin në konkluzionin se metodologjia e vlerësimit dhe klasifikimi i kandidatëve nga një komision vlerësimi i pavarur ndërkombëtar, i bazuar në udhëzimet e shoqërive të punëve publike amerikane dhe lidhja e kontratës së ndërtimit, me çmime për njësi pa projekt zbatimi, me volume të përafërta nuk është parashikuar në ligjin 7971 për prokurimin publik.