Ambasadorët e NATO-s:
"Duhet ecuri konstante e hapave në drejtim të reformës elektorale dhe asaj në drejtësi".
Duhet punë për reformat
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë dje në Konferencën e Ambasadorëve të NATO-s, ku ka mbajtur një fjalim të veçantë para tyre, me anë të së cilit ka njohur ambasadorët me reformat e ndërmarra në vendin tonë. Por, përveç përgëzimeve dhe vlerësimeve për atë çfarë Berisha prezantoi para tyre, ambasadorët e NATO-s i kanë theksuar kreut të qeverisë shqiptare rëndësinë që reformat të jenë të pakthyeshme dhe mbi bazë të qëndrueshme, ashtu siç bëri edhe sekretari i përgjithshëm Scheffer në takimin që zhvilloi dje me Berishën. Në mënyrë të veçantë, ambasadorët kanë bërë thirrje për një ecuri konstante të hapave në drejtim të reformës elektorale dhe asaj në drejtësi. Gjithashtu, ambasadorët theksuan mbështetjen dhe përkrahjen e tyre për zhvillimin dhe implementimin e reformave në Shqipëri, vlerësuan qëndrimin e moderuar të Shqipërisë si dhe maturinë e treguar në rajon, por edhe promovimin e bashkëpunimit rajonal të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Në fjalimin e tij para ambasadorëve, Kryeministri Berisha bëri një panoramë të reformave të ndërmarra nga vendi ynë, sidomos të atyre në kuadër të ftesës për anëtarësim në NATO. Ashtu siç i është kërkuar nga zyrtarët e NATO-s Berisha shprehu bindjen se reformat janë të pakthyeshme dhe mbi baza të qëndrueshme, dhe vlerësoi se ekziston një klimë e re bashkëpunimi mes forcave politike, e faktuar edhe nga prezenca e opozitës në delegacionin shqiptar të kryesuar nga ai. Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje vendeve të NATO-s që të vendosin për të ftuar Shqipërinë të bëhet pjesë e saj, duke deklaruar se kjo do të ishte një ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe vlerësimi më i mirë për performancën tonë individuale. "Rajoni jonë ka nevojë për një prani më të madhe të NATO-s në të, veçanërisht në periudhën kur Kosova po shkon drejt statusit final. Zgjerimi i Aleancës do t'i dërgonte një mesazh të fuqishëm orientues vendeve të rajonit që ende hezitojnë në zgjedhjet e tyre lidhur me të ardhmen",- tha Berisha.