E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Rritja e çmimeve, 60% vjen nga importi

SHKRUAN: Sabina Veizaj 05-05-2011 11:12

Rritja e çmimeve për të gjithë artikujt e konsumit në tregun tonë, në më shumë se 60 për qind, kanë si shkak tregun ndërkombëtar. Ndikim më të lartë duket se ka dhënë çmimi i karburanteve, grurit, orizit, sheqerit etj, çmimi i të cilave është rritur me 30 për qind në tregun ndërkombëtar dhe që u përcoll totalisht edhe në tregun vendas. Indeksi i mallrave kryesore në tregjet ndërkombëtare ka shënuar një rritje vjetore prej 34.1 % në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me një tremujor më parë, ky indeks është rritur me 15%. Për të njëjtën periudhë kohore, indeksi i ushqimeve ka shënuar një rritje prej 33.8%, ndërsa në terma tremujorë është rritur me 10.4%. Çmimi i karburantit ka shënuar një rritje vjetore prej 28.5%. Tregu ndërkombëtar i naftës është karakterizuar nga një përshpejtim i ritmit rritës të çmimit të këtij produkti për fuçi, por duke qenë se disa nga vendet me probleme social-politike janë vende prodhuese të naftës, pritet pasiguria e tyre dhe është përçuar në çmimin e këtij malli në tregjet botërore. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë, në vlerësimin e saj për ecurinë e ekonomisë për tremujorin e parë të vitit 2011, ka konkluduar se inflacioni mesatar i tre mujorit të parë të vitit prej 4% ka ardhur si rezultat i reflektimit të menjëhershëm të çmimeve të produkteve të bursës ndërkombëtare. Sipas Bankës Qendrore, 60% e inflacionit total vjen nga inflacioni i importuar. Përsa i përket muajit mars 2011, inflacioni arriti në 4.3% dhe mesatarisht, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, inflacioni rezultoi 4.0%, duke qëndruar një pikë përqindjeje mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, vlerësimi i Bankës Qendrore tregon se rritja e shpejtë e çmimeve gjatë dy muajve të fundit i dedikohet kryesisht efektit të rritjes së çmimeve të mallrave ushqimorë si vaji, drithërat, mielli, etj, dhe çmimit të naftës në tregjet botërore, duke shkaktuar rritjen e lehtë të pritjeve inflacioniste dhe fillimin e shfaqjes së efekteve të raundit të dytë, ku kryeson rritja e çmimeve të qirave të banesave në muajin shkurt. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, aktiviteti ekonomik në botë ka shfaqur rritje, ndonëse papunësia mbetet e lartë. Nga ana tjetër, si arsye e rritjes së shpejtë të kërkesës në disa nga vendet në zhvillim, çmimet e faktorëve të prodhimit si ai i energjisë, i lëndëve të para dhe i kostove të punës, janë rritur. Duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor i sektorit të mallrave të tregtueshme në tremujorin e parë të vitit 2011, rezultoi 4.9%, duke shpjeguar rreth 75% të shifrës së inflacionit total. Shkaqet kryesore për këtë sjellje, në gjykimin e BSH-së, kanë qenë konjuktura e rënduar aktuale dhe e pritshme për çmimet e lëndëve të para, situata e pazakontë gjeopolitike në ekonomitë e rëndësishme prodhuese të naftës dhe të produkteve agro-industriale, si dhe kushtet e pafavorshme të motit, të cilat kanë dëmtuar produktet bujqësore. Inflacioni i produkteve të patregtueshme të shportës, i cili pasqyron presionet e brendshme, në tremujorin e parë të vitit 2011 rezultoi 2%. Sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, ky përbërës afatgjatë i inflacionit, tregon se pritjet inflacioniste në ekonomi, megjithëse reflektojnë një vlerë relativisht më të lartë, mbeten në përputhje me objektivin e këtij institucioni.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›