Nisma, intelektualët e Elbasanit mbështesin Durim Hushin
Elbasan- Intelektualët e Elbasanit bënë dje thirrje për të votuar kandidatin e mazhorancës, Durim Hushi, për Bashkinë e Elbasanit. Dje në Elbasan, grupimi i shoqërisë civile, “Iniciativa për Elbasanin”, i përbërë prej një grup intelektualësh të qytetit, lexuan një deklaratë të hapur drejtuar qytetarëve të Elbasanit, ku bëhej thirrje për të votuar Durim Hushin, kandidat i ‘Aleanca për Qytetarin’ për bashkinë e qytetit. Deklarata u lexua nga Roland Gjini, Zv. Dekan i Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit. “Të ndërgjegjshëm se intelektualët janë avokatë të interesit publik; Të përgjegjshëm për momentin historik në të cilin ndodhet qyteti ynë, në sajë të nismës për të ndërtuar rrugën e re Elbasan – Tiranë; Të bindur se shfrytëzimi maksimal i këtij shansi kërkon një Bashki me vizion, të aftë dhe të ndjeshme ndaj problemeve të qytetarëve dhe një kryetar bashkie që i zotëron të gjitha këto kapacitete, grupimi i shoqërisë civile, “Iniciativa për Elbasanin”, u bën thirrje të gjithë qytetarëve elbasanas të mbështesin kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Durim Hushi, sepse ai përfaqëson vlerat e vërteta të traditës elbasanase dhe ka një vizion të qartë për ta modernizuar Elbasanin”, citoi dje Gjini. Deklarata është firmosur edhe nga intelektualët: Mehmet Çeliku, Hyqmet Krati, Ymer Ashiku, Enver Ibershimi, Astrit Bishqemi, Xhemal Lufta, Fatbardh Marku, Sami Domi, Gazmend Haxhiymeri, Adonis Filipi, Sulejman Balza, Ahmet Mehmeti, Albert Tafani, Jani Dode, Roland Gjini, Ylli Cerova.