Super Euro, rrit me 1.6 % çmimet e banesave këtë vit
Shtrenjtimi i euros ka rritur në mënyrë fiktive çmimet e apartamenteve gjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë, në një analizë të publikuar dje për këtë qëllim, njoftoi se kursi i këmbimit ka pasur efekt mbi çmimet e shtëpive me 1.6 për qind, pasi tregu imobilar në vendin tashmë operon vetëm në euro. Një pjesë e ndryshimit vjetor të çmimeve reflekton efektin e nënçmimit të monedhës vendase ndaj monedhës europiane. Sipas BSH, e korrektuar për efektin e kursit, rritja vjetore nominale e çmimeve në kryeqytet është 1.2 për qind, ndërsa në terma reale është -2.7%. Por zhvillimet në çmimet e banesave në tremujorin e parë të vitit 2011 janë ndikuar nga një gjallërim i lehtë i ofertës dhe kërkesës. Numri i lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja banimi është rritur në tremujorin e katërt 2010, pasi kishte shënuar rënie vjetore gjatë 4 tremujorëve të fundit. Ky tregues, megjithë përmirësimin, vazhdon të kufizojë sasinë e ardhshme të banesave të gatshme për shitje, duke mbështetur një nivel të lartë të çmimeve aktuale të shitjes. Por të dhënat më të fundit sasiore nga kredia e dhënë për sektorin e ndërtimit dhe për blerje banese, rritja e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa dhe për punime inxhinierike, si dhe të dhëna cilësore nga vrojtimet, mbështesin vijimin e rikuperimit të prodhimit në degën e ndërtimit për tremujorin e parë të vitit 2011. Treguesi i besimit në ndërtim është përmirësuar në tremujorin e parë të vitit 2011, për të dytin tremujor radhazi. Gjithashtu lehtësimi në kushtet e kreditimit për blerje banese tregon për një rritje të kërkesës, që mund të ketë shkaktuar rritjen e lehtë të çmimeve në tremujorin e parë të këtij viti. Megjithatë, një prirje e vazhduar rritëse në çmimet e banesave do të mbështetej vetëm në kushtet e një rikuperimi të kërkesës në nivele të qëndrueshme, sipas Bankës Qendrore. Indeksi i qirasë në përgjithësi ka shfaqur një luhatshmëri më të lartë për të gjithë periudhën e matur, në krahasim me indeksin e çmimeve të banesave. Ky tregues është ulur me 4.5 % në terma vjetore në tremujorin e parë të vitit 2011, ndërkohë që në tremujorin e katërt të vitit 2010, ai pësoi një rritje prej 13.5 %.