E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Shitjet në Shqipëri u ngadalësuan muaj pas muaji

Analiza Banka qendrore shpjegon se kërkesa e brendshme humbi fuqi më 2009

Shitjet finale në ekonominë shqiptare erdhën gjithnjë e duke u pakësuar gjatë vitit 2009, bën të ditur Banka e Shqipërisë në analizën e saj të fundit për gjendjen e ekonomisë shqiptare.

“Për sa i takon gjendjes së sektorit real të ekonomisë gjatë vitit 2009, tregues të ndryshëm mbështesin vlerësimet për një situatë përgjithësisht më të dobët në krahasim me vitin 2008, një prirje e përforcuar kryesisht në tremujorin e fundit të vitit”, thuhet në analizën e BSH-së, e cila argumenton se dobësimi i konsumit të shqiptarëve u pasqyrua në të ardhurat e buxhetit dhe në indeksin e shitjeve në ekonomi, një tregues që matet nga INSTAT-i, por nuk vihet në dispozicion të publikut të gjerë.

“Ndër to përmendim rënien e të ardhurave të buxhetit që mblidhen në formën e taksave e të tatimeve, rënien e investimeve e të konsumit si rezultat i rënies së financimeve prej sektorit bankar dhe dërgesave nga jashtë, dhe në përgjithësi ngadalësimin e rritjes ekonomike”, thotë BSH.

Kështu, ndonëse vlera nominale e shitjeve u rrit mesatarisht me rreth 6 për qind në vitin 2009, në tremujorin e katërt, rritja e tyre ishte vetëm 2 për qind. Në vlerë reale, shitjet në ekonomi duket se gjatë vitit të shkuar kanë qenë më të ulëta se në 2008, për shkak se shitjet në ekonomi raportohen në lekë, ndërsa zhvlerësimi i lekut kundrejt euros jep një rritje nominale që nuk pasqyron realitetin. Për më tepër, konsumi i popullatës së gjerë vlerësohet se është reduktuar edhe më shumë se sa konsumi i të gjithë ekonomisë, për shkak se një pjesë e konsiderueshme e shitjeve gjatë vitit 2009 qenë pasojë e shpenzimeve të buxhetit të shtetit.

Sektorët e industrisë dhe të ndërtimit kanë pasur një ndikim negativ në ecurinë e shitjeve, ndërsa sektori i shërbimeve ka dhënë ndikimin kryesor pozitiv në ecurinë e tyre. Në gjendjen ekonomike të bizneseve, përgjithësisht konstatohet rritja e kapaciteteve të papërdorura dhe rënia e investimeve, si edhe përkeqësim i pritjeve për ecurinë e përgjithshme të ekonomisë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›