E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Sistemi bankar në Shqipëri, jo katalizator për rritjen ekonomike

Raporti i Fundit i Bankës Botërore tregon me kritika defektet e sistemit bankar në Shqipëri, që duket se nuk po shërben më si katalizator i rritjes ekonomike të vendit, por vetëm si një mundësi pasurimi për vetë bankat. Sipas raportit, bizneset i gjejnë jashtë sistemit bankar paratë për të financuar veten.

Sigurisht që kur bankat aplikojnë norma interesi stratosferike dhe kjo bën që biznesi t'i gjejë gjetkë paratë. "Kapitali qarkullues përgjithësisht financohet nga burime të brendshme, kurse burime të jashtme si financimi nga bankat apo kreditë mbështetëse apo konsumatore luajnë një rol shumë të kufizuar. Firmat përgjithësisht mbështeten tek financimi i brendshëm për të plotësuar nevojat e tyre për kapital", theksohet në raportin e Bankës Botërore. Por ky nuk është defekti më i madh. Krahasuar me vendet e rajonit, biznesi shqiptar është më larg bankave. "Mbi të gjitha, aksesi në financim është e limituar, krahasuar me standardet e rajonit, që reflekton një nënzhvillim të sektorit financiar. Vetëm 37% e firmave shqiptare kanë akses në linjën e kreditimit apo huave nga institucionet financiare, një përqindje më e ulët se në rajon (Bullgari 44%. Kroaci 67%." Në një situatë të tillë, kur bankat janë jo-atraktive, edhe kreditimi i biznesit do të jetë në nivele shumë të ulëta. "Firmat shqiptare kanë akses të limituar te kreditë me terma afatgjatë dhe kjo është një ndrydhje për zhvillimin e teknologjisë së re, duke qenë se investimet në teknologji për një kompani kërkojnë një periudhë të gjatë pagese. Në dritën e këtij dështimi të tregut kapital, është racionale për Qeverinë shqiptare që të sigurojë mbështetje financiare të përkohshme, të kujdesshme, të sigurt për firmat, në mënyrë që të futet teknologji e re". Pra, bankat jo vetëm që janë larg biznesit, por po frenojnë edhe zhvillimin teknologjik. Ky zhvillim ka të bëjë direkt me konkurrencën e ekonomisë shqiptare dhe sigurisht që është një faktor kryesor, që mban peng zhvillimin ekonomik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›