E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezerva valutore, bankat e nivelit të dytë nuk depozituan 4.42 milion dollarë

Ja ndikimi negativ mbi rezervën valutore gjatë vitit 2009


Bankat e nivelit të dytë nuk kanë depozituar pranë Bankës së Shqipërisë 4.42 milion dollarë. Ndikimi negativ në është shënuar nga mos derdhja nga bankat gjatë vitit 2009 dhe është regjistruar në zërin e rezervës së detyruar që lidhen me kapitalin bankës dhe transferuat.

Shifrat janë pasqyruar në raportin e Bankës së Shqipërisë, por nuk bëhet i ditur emri i bankave të cilat kanë shkaktuar efektet negative. Ndërkohë që Banka Qendrore ka regjistruar ndikim pozitiv në shumën 89 milion dollarë në zërin hyrje nga lëvrimi i huave nga FMN dhe nga blerjet e valutës nga bankat e nivelit të dytë dhe Ministria e Financave në vlerën 238 milion dollarë.

Interesat
Banka e Shqipërisë ka siguruar të ardhura nga investimi i rezervës valutore deri në fund të muajit dhjetor të vitit 2009 që llogariten rreth 55.85 milion dollarë. Efekti rivlerësimit të portofolit si rrjedhojë e luhatjes së normës të interesit llogaritet në një vlerë negative prej 16.39 milion dollarë. Sipas Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2009 luhatjet në kursin e këmbimit të monedhave në përbërje të rezervës valutore kanë ndikuar pozitivisht në vlerën e rezervës bruto duke regjistruar një efekt rreth 55 milion dollarë.


Kreditë
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar, kredia me probleme e kaloi 10 për qind ndaj totalit të kredisë. Nga ana tjetër, bankat dhanë shumë më pak kredi të reja gjatë vitit të kaluar. Në rast se deri para dy vitesh, fitimet e bankave vinin kryesisht nga sasia madhe e kredisë, duket se strategjia ka ndryshuar. Tashmë, bankat po fitojnë nga shtrenjtimi i interesave. Interesi i kredisë për likuidimet e shpejta, pra ato deri në 6 muaj, është rritur me rreth 1.29 për qind, vetëm për një muaj. Një shifër e frikshme kjo, pasi është e njëjtë për të dyja monedhat, edhe në lekë edhe në euro. Rritje të interesave nga muaji në muaj kanë pësuar pothuajse të gjitha llojet e kredive si në lekë dhe në euro. Edhe pse Shqipëria kë një numër të madh bankash të nivelit të dytë, këto të fundit janë më pak atraktive për biznesin në krahasim me rajonin.


Portofoli i kredive
Duke pasur parasysh këtë element dhe në terma më praktikë, është e nevojshme që për kreditë ekzistuese bankat të reflektojnë plotësisht madhësinë e kredive me probleme dhe të krijojnë rezervat përkatëse për rrezikun e humbjeve nga kreditë. Në portofolin e kredive me probleme, bankat duhet të identifikojnë klientët me probleme të përkohshme dhe të kapërcyeshme, dhe të ndërtojnë politika që ofrojnë mbështetje për këta klientë në këmbim të shtimit të elementëve që mbrojnë bankën prej rrezikut të këtyre kredive në të ardhmen. Për klientët që i vlerësojnë me një mundësi të ulët të pagesës së detyrimit të kredisë, bankat duhet të ndjekin vendosmërisht procedurat ligjore për ekzekutimin e garancive dhe të formave të tjera të kolateraleve, për rikuperimin e një vlere sa më të madhe të kredisë. E gjithë vendimmarrja në këtë proces duhet të jetë e qartë dhe e dokumentuar, dhe duhet të ketë si bazë analizën e strukturave të specializuara të Bankës. Për kreditë e reja, nisur nga përvoja e bankave me problemet e shfaqura në portofolin e kredisë dhe arsyet përkatëse, është e domosdoshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm midis projekteve publike dhe private, midis klientëve që përfaqësojnë sipërmarrje biznesi apo familje, midis formave të dhënies së kredisë në lekë ose në valutë etj., duke e orientuar kreditimin në mënyrë që të zvogëlohet ekspozimi ndaj formave më problematike dhe të ulet përqendrimi i kreditimit në përgjithësi.

Kursi i këmbimit
Në prani të ngadalësimit të kërkesës së brendshme dhe duke reflektuar situatën e vështirë të ekonomisë globale, deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me rreth 3 për qind gjatë vitit 2009, duke qëndruar në nivelin 15.3 për qind të PBB-së. Megjithatë korrektimin e lehtë gjatë vitit, deficiti korrent mbetet në nivele krahasimisht të larta dhe përbën një nga dobësitë e ekonomisë shqiptare. Ngushtimi i bilancit tregtar u ndikua nga rënia e njëkohshme vjetore e eksporteve dhe importeve tona, respektivisht me 18 për qind dhe 9 për qind. Situata e vështirë në vendet fqinjë është reflektuar edhe në rënien e remitancave, të cilat u tkurrën me 6.5 për qind në terma vjetorë, ndërkohë që raporti i tyre ndaj PBB-së shënoi nivelin 9 për qind. Suficiti i llogarisë kapitale dhe financiare u zvogëlua ndjeshëm gjatë vitit 2009, duke rënë me 35.6 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kjo ecuri u diktua në një masë të madhe nga rritja krahasimisht e ulët e investimeve të huaja direkte dhe nga reduktimi i huamarrjes së huaj private.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›