BSH: Stabiliteti financiar, i qëndrueshëm në 6-mujorin e parë 2008
Në deklaratën e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë për 6-mujorin e parë të vitit 2008, BSH vëren se sistemi financiar në Shqipëri ka vijuar rritjen e tij të qëndrueshme, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008. Rezultati i mirë financiar, si në sektorin bankar ashtu edhe në atë financiar jobankar, vijon të mbështetet prej zgjerimit të shpejtë të veprimtarive me kthim të lartë nga investimi. Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë së sektorit bankar, përfaqësohet nga depozitat e publikut. Financimi i veprimtarisë nëpërmjet linjave të kreditimit të marra nga grupet bankare zotëruese, është rritur në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, por është ende në nivele të pranueshme. I ndikuar kryesisht nga sektori bankar, ritmi i rritjes së të ardhurave neto në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, ka qenë më i ulët se ai i së njëjtës periudhë të vitit të kaluar dhe më i ulët se rritja e aktiveve, duke rezultuar në një vlerë më të ulët të kthimit mbi aktivet dhe mbi kapitalin. Treguesi i kapitalizimit të sektorit financiar dhe veçanërisht të atij bankar është rritur, duke përfituar kryesisht prej kapitalizimit të fitimit të vitit 2007. Në krahasim me fundin e vitit 2007, cilësia e portofolit të kredisë është dobësuar lehtë, por kjo është shoqëruar me rritjen e nevojshme të fondeve rezervë nga ana e sektorit bankar. Treguesi i likuiditetit ka shfaqur rënie, duke mbetur sidoqoftë në nivel të kënaqshëm, më të lartë se vendet e tjera të rajonit. Në nivelet aktuale, rënia e këtyre treguesve konsiderohet objektive dhe e pranueshme në kushtet e zgjerimit të veprimtarisë financiare dhe të asaj bankare. BSH vëren se aktualisht nuk evidentohet ndonjë rrezik i cili ka mundësi të lartë materializimi dhe që mund të dëmtojë në mënyrë të menjëhershme dhe të rëndë veprimtarinë e sistemit financiar. Sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe likuid, duke respektuar kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës. Megjithatë, në kushtet e zhvillimeve të pafavorshme në tregjet financiare ndërkombëtare, nevojitet rritja e vigjilencës nga ana e institucioneve financiare, për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në këto tregje. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga strukturat drejtuese të bankave të përcaktojnë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme konkrete, për të ruajtur dhe për të përmirësuar aftësinë, për të gjeneruar në vazhdimësi rezultat financiar pozitiv, duke ruajtur cilësinë e aktiveve dhe treguesit e likuiditetit. Banka e Shqipërisë do t’i orientojë dhe do t’i mbështesë këto veprime, nëpërmjet përmirësimit të nevojshëm të kuadrit rregullativ. Aktivet e sektorit financiar kanë njohur rritje të qëndrueshme, por pjesa e sektorit financiar jobankar vijon të ketë një peshë të ulët në tregun financiar. Totali i aktiveve të sistemit financiar në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2008, vlerësohet të jetë pranë nivelit 85.8 për qind e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin 2007. Në fund të periudhës, totali i aktiveve të sektorit bankar vlerësohej në 807.2 miliardë lekë, duke zënë 83 për qind të PBB-së. Totali i aktiveve të institucioneve financiare jobankare që licencohen nga Banka e Shqipërisë dhe që nuk pranojnë depozita nga publiku, në fund të muajit mars 2008 ishte 14.2 miliardë lekë, duke zënë 1.4 për qind të PBB-së.