E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Të ardhurat, në rënie

Ministria e Turizmit u shpreh dje e lumtur për ecurinë e këtij sektori gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, duke raportuar rritje të numrit të turistëve me 10 për qind, pavarësisht krizës botërore. Por në të njëjtën kohë, nga statistikat e Bankës së Shqipërisë, vërehet se vendi ynë u bë importues neto i shërbimeve turistike për herë të parë që kur ky tregues filloi të matet.

"Periudha janar-qershor 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një rritje 10 për qind të numrit të vizitorëve të huaj", thotë Ministria e Turizmit.

Gjatë kësaj periudhe, Shqipërinë e vizituan 951 mijë vetë, nga të cilët, 522 mijë qenë të huaj, ndërsa pjesa tjetër, shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që kthehen për pushime.

Të ardhurat nga udhëtimet e të huajve në Shqipëri qenë 212 milionë euro gjatë tremujorit të parë të këtij viti, me ulje prej 4.3 përqindësh kundrejt tremujorit të parë 2008, ndërkohë që shqiptarët shpenzuan në udhëtime jashtë vendit 222 milionë euro, pra duke realizuar një deficit prej 10 milionë eurosh.

Gjatë dekadës së fundit, numri i turistëve të huaj apo shqiptarë që jetojnë jashtë ka njohur rritje të konsiderueshme, kryesisht si pasojë e hapjes së kufijve me Ballkanin, si dhe stabilizimit të jetesës së valës së parë të emigrantëve. Gjatë viteve të fundit, numri i vizitorëve është rritur me mesatarisht 25 për qind ndërsa të ardhurat janë rritur me 19 për qind. Për pasojë, numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri u rrit nga 317 mijë vetë në vitin 2000, në 1.4 milionë gjatë vitit të kaluar. Por viti 2009 ka pak gjasa të jetë po aq i mbarë sa vitet e shkuara. Të dhënat e deritanishme flasin për një rritje minimale prej 10 përqindësh të vizitorëve dhe rënie të të ardhurave me 4.3 për qind.

Gjatë vitit 2008, numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë është rritur 26 për qind krahasuar me vitin 2007, kjo kryesisht nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe numri i klientëve të akomoduar në hotele është rritur 23.9 për qind në vitin 2008 në krahasim me vitin paraardhës. Të gjitha vendet turistike të Mesdheut po vuajnë aktualisht mungesën e vizitorëve për shkak se shumë europianë që më parë pëlqenin vendet me diell për pushimet e tyre, këtë vit do të shkurtojnë kohëzgjatjen e pushimeve apo do t‘i anulojnë fare për shkak të rënies të të ardhurave dhe pasigurisë ekonomike. Vendet e rajonit kanë filluar të propagandojnë uljen e çmimeve nga pronarët e resorteve turistike me shpresë se do të minimizojnë humbjet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›