E Diel, 1 Nëntor 2026

Paralajmërimi i KQZ-së, rrezikohet regjistrimi i kandidatëve të PS-së

PS-ja e dorëzoi listën e kandidatëve jashtë afateve të përcaktuara nga Kodi. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti: “Sjellja e PS-së është arrogante”

Luis Tanushi

Partia Socialiste rrezikon regjistrimin e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Shkaku ka qenë dorëzimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare nga Partia Socialiste e Shqipërisë përtej afateve kohore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Mbledhja e djeshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila kishte në rend të ditës diskutimin për ndarjen e kohës televizive falas për subjektet politike, u shoqërua me debate të ashpra. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjoncaj, e akuzoi KQZ-në se është selektive dhe se PS-ja nuk ka qenë e vetmja forcë politike që ka shkelur ligjin. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u kundërpërgjigj duke deklaruar se shkelja e ligjit nga PS-ja është precedent i përsëritur.
Debati
Debati në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nisi pas deklaratës së bërë nga ana e drejtoreshës së Drejtorisë Juridike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Pasku. Ajo theksoi se PS-ja ka shkelur afatet e dorëzimit të listave. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjoncaj, pranoi se forca politike që ai përfaqëson ka shkelur afatet që përcakton Kodi, por sipas tij, edhe KQZ-ja ka shkelur ligjin. Gjoncaj tha se KQZ-ja ka pranuar dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nga partitë politike jashtë orës 20:00, që kishte përcaktuar Komisioni. ”Është e vërtetë që PS-ja i dorëzoi pas orës 20:00, që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor, por po kaq e vërtetë është që ligjin e ka shkelur edhe PD-ja”. Gjoncaj u shpreh se ka tentuar të dorëzojë listën e kandidatëve të PS-së dje në orën 01:00, por nuk ka gjetur asnjë person në protokoll. Përfaqësuesi i PS-së deklaroi se punonjësit e KQZ-së, në periudha zgjedhore, duhet të qëndrojnë në punë 24 orë. Ai tha se pas përpjekjeve ai u detyrua që t’i dorëzojë listat në orën 07:50. Gjoncaj akuzoi KQZ-në se me veprimet e saj selektive po dëmton procesin zgjedhor. ”Mendoj se deklarata për shkeljen e ligjit nga PS-ja nuk është korrekte dhe sjellja e KQZ-së është e qëllimshme”, - tha përfaqësuesi i PS-së. Gjoncaj i bëri thirrje KQZ-së që të mos jetë e qëllimshme. ”Për procesin zgjedhor duhet frymë konsensuale dhe nuk duhet që KQZ-ja të bëjë zgjedhje selektive”, - u shpreh përfaqësuesi i majtë në KQZ. Kryetari i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, deklaroi se PS-ja ka edhe precedentë të tjerë për shkeljen e Kodit Zgjedhor. Ristani i kujtoi përfaqësuesit të PS-së listën e anëtarëve të KZAZ-së ku kjo forcë nuk ka respektuar kuotën 30%. ”Në vend që të kërkoni falje për shkeljen e kuotës 30% të grave për KZAZ-të, ju vazhdoni të shkelni Kodin Zgjedhor”,- u shpreh kreu i KQZ-së.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe diskutimi i përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti. Kosovrasti e quajti sjelljen e PS-së si sjellje arrogante. Ai tha se PD-ja ka respektuar afatin ligjor. “Ne e kemi dorëzuar listën e kandidatëve në orën 23:53”, - tha ai. Sipas përfaqësuesit të PD-së, Kodi përcakton vetëm datën se kur është afati i fundit, dhe jo orën se kur duhet t’i dorëzojnë partitë listën.
Shtyrja
Shtyrja e përcaktimit të kohës televizive falas për fushatën e partive politike erdhi pas propozimit të nënkryetares së KQZ-së. “Propozoj që koha televizive për partitë të bëhet pasi të miratohen listat e kandidatëve për partitë politike”, - deklaroi Subashi. Kodi Zgjedhor thotë që ndarja e kohës televizive të bëhet në bazë të partive që kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë. Reklamat politike të koalicioneve zgjedhore llogariten brenda kohës së partive politike anëtare të koalicionit, sipas marrëveshjes individuale të secilës parti me operatorin radioteleviziv. Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore nga secila radio apo televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 45 minuta për secilën parti që ka marrë deri në 20% të vendeve në Kuvend dhe 90 minuta për secilën parti që ka marrë më shumë se 20% të vendeve në Kuvend. Për zgjedhjet në Kuvend, radiot dhe televizionet private, kombëtare dhe satelitore, të cilat pranojnë reklama me pagesë, janë të detyruara që gjysmën e kohës totale të reklamës së parashikuar ta vënë në dispozicion falas të subjekteve zgjedhore. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore nga ana e radiove dhe televizioneve private llogaritet si shpenzim i zbritshëm për efekte tatimore.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›