PDS-ja prezanton Sajmir Stratin në Patos
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, prezantoi në Patos kandidatin Sajmir Strati. Milo e akuzoi si manipulues kryeministrin Berisha. “Ne kemi përballë një kundërshtar politik që ka në dorë edhe makinerinë e qeverisjes së vendit dhe që ka dëshmuar në këto 18 vite se dashurinë për pushtetin e ka kthyer në kult dhe në emër të tij bëhet agresiv, i dhunshëm e manipulator i paskrupullt i vullnetit të shqiptarëve”,-u shpreh Milo. Sipas kreut të PDS-së, e djathta dhe Partia Demokratike është një industri e përpunimit të opinionit publik që punon me kapacitet të lartë dhe që ka si lëndë të parë demagogjinë e mashtrimin, gënjeshtrat e premtimet boshe, lojën e shifrave dhe spekulimet me rritjen ekonomike e politikat sociale. Milo premtoi më shumë siguri e garanci për jetën dhe për pronën. “Lufta kundër krimit ordiner dhe atij të organizuar do të thellohet e do të zgjerohet jo për të pasuruar statistikat dhe raportet qeveritare, por për të ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirat e veprimit dhe për të prerë burimet e ushqimit të tyre”, - deklaroi kreu i PDS-së, Paskal Milo.
Dita Kombëtare e Jetimëve, Meta premton strehim, arsimim dhe punësim për fëmijët jetimë
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një takim me fëmijët jetimë, premtoi se pas fitores së forcës politike që ai drejton më 28 qershor, do të krijohen të gjitha mundësitë për t’u arsimuar dhe për t’u shkolluar dhe për të pasur mundësi për t’u punësuar. Meta deklaroi se strehimi është një problem kyç që do të gjejë zgjidhje. Sipas tij, problemi i strehimit nuk mund të zgjidhet pa marrë përsipër shteti dhe qeveria kredi me interesa të ulëta dhe afatgjata. Kreu i LSI-së akuzoi organet shtetërore se nuk janë treguar të ndjeshme ndaj problemeve të jetimëve. Kreu i LSI-së denoncoi kushtet e vështira në të cilat jetojnë jetimët në Shkollën Teknologjike në Tiranë. “Nuk ka gjë më të rëndë sesa një fëmijë të rritet pa ngrohtësinë e prindit, por nuk ka gjë akoma më të rëndë që një shoqëri, apo një shtet të mos jenë të ndjeshëm ndaj kësaj gjëje”,- u shpreh Meta. Kryetari i LSI-së u shpreh se sado të kontribuojnë shoqatat, asgjë nuk mund të zëvendësojë dhe nuk duhet të zëvendësojë kontributin e shtetit, nuk duhet të zëvendësojë kontributin dhe obligimin e qeverisë për të bërë shumë më tepër. Sipas tij, “LSI-ja, në rast se fiton zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, do të realizojë që statusin e fëmijës jetim ta përfitojnë dhe ata që kanë vetëm një prind”.
Presidenti i Shoqatës së Jetimëve, Aliaj, u shpreh se LSI-ja ishte e vetmja forcë politike që u kujtua për jetimët dhe kryetari i kësaj force ishte i vetmi lider që iu përgjigj ftesës së Shoqatës së Jetimëve për të qenë i pranishëm në takimin me fëmijët jetimë nga e gjithë Shqipëria, në Ditën Kombëtare të Jetimëve.
21 Maj 2009