E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Vendi ka ngadalësim ekonomik, shkak mungesa e likujditetit



Ervin KOÇI

Ekonomia shqiptare ka pësuar ngadalësim gjatë këtij viti dhe kjo për shkak të mungesës së parasë në qarkullim. Ky është konkluzioni i nxjerrë dje nga Banka e Shqipërisë, e cila ka marrë në analizë situatën makro-ekonomike në vend. Situata e vështirë ekonomike dhe luhatjet e saj janë pranuar dje edhe nga vet kreu i BSH-së, Guvernatori, Ardian Fullani, i cili pavarësisht përmirësimeve në rang global nuk ka folur me nota optimiste në lidhje situatën në vend. Për Guvernatorin Fullani, rritja ekonomike në vend është pozitive, por që prej vitit të kaluar ka pasur ngadalësim. “Inflacioni mesatar vjetor është 2.2 për qind. Presionet inflacioniste janë në rënie. Gjithashtu dhe eksportet kanë pësuar rënie prej 7 për qind që prej vitit të kaluar”, ka deklaruar Guvernatori Fullani. Pavarësisht deklaratave euforike të shefit të qeverisë, për një rritje të lartë ekonomike, Fullani tha se ekonomia po ecën me ritme të ngadalta. Sipas BSH-së, “qeveria edhe gjatë muajve të verës ka vijuar me ritmin e lartë të investimeve publike ndonëse të ardhurat janë mbledhur në nivele më të ulëta. Për rrjedhojë ka vijuar tendenca rritëse e deficitit buxhetor”.

Tregu valutor

Sipas Guvernatorit, situata paraqitet delikate sidomos në tregun valutor ku javën e kaluar zhvlerësimi i monedhës vendase arriti në nivelin 8 për qind, duke u këmbyer një euro me 140 lekë. Guvernatori Fullani, bëri thirrje që kursi i këmbimit duhet të lihet i qetë të luhatet në shtratin e tij të kërkesë-ofertës. "BSH do të jetë gjithmonë e kujdesshme për lëvizje të pakontrolluara dhe çrregullimet e qëllimshme në treg. Dua t’iu them se Banka e Shqipërisë i ka të gjitha mundësitë të marrë masat për të ndërhyrë"-theksoi Guvernatori. Edhe pse kjo situatë është konsideruar si e tejkaluar për Guvernatorin Fullani, ai nuk është nxituar në deklarata duke tërhequr vëmendjen se rreziku mbetet akoma i pranishëm dhe do të jetë i vazhdueshëm. “Për sa kohë kursi valutor është i luhatshëm në të gjithë botën dhe asnjëherë nuk mund të bëhen parashikime, edhe aktorët ekonomikë në Shqipëri nuk mund të bëjnë parashikime dhe duhet të jenë të kujdesshëm duke marrë përsipër riskun në rastet kur kryejnë investime apo transaksione në valutë”,- ka deklaruar Guvernatori Fullani. Ai ka theksuar më tej, duke i bërë të ditur agjentëve ekonomikë, në rastin konkret bankave, se do të parandalojë çdo destabilitet në tregun valutor. Institucioni më i lartë monetar ka vendosur të mbajë të pandryshuar koston e parasë duke e lënë në fuqi nivelin 5.75 për qind. Kjo sipas guvernatorit do të shërbejë për të mbajtur të qetë tregun valutor dhe inflacionin. Banka Qendrore uli në janar të këtij viti, për herë të fundit me 0,5 për qind normën bazë të interesit të kredive duke e çuar atë në nivelin 5.75 për qind.

Likujditeti

Sipas Guvernatorit Fullani, “nevojat për likuiditet në sistemin bankar janë plotësuar nga operacionet në treg të hapur të Bankës së Shqipërisë. Kjo ka injektuar të gjithë likuiditetin e kërkuar nga bankat tregtare, duke ruajtur njëkohësisht një strukturë të përshtatshme kohore të këtij injektimi”. Pavarësisht situatës së përmirësuar të likuiditetit, në tregun primar normat e yield-eve kanë vijuar prirjen rritëse të muajve të fundit. Rritja e vlerësimit të rrezikut nga bankat është reflektuar kryesisht në përcaktimin e yield-eve afatgjata, çka konfirmohet dhe nga rritja e yield-eve të obligacioneve 2 dhe 5 vjeçare. Ecuria e normat e interesit të depozitave të reja në euro dhe në lekë, ka rezultuar e qëndrueshme gjatë muajit korrik. Interesat për kreditë e reja në lekë kanë vijuar uljen në muajin korrik, ndërkohë që ky muaj ka regjistruar shtrëngim të kostos së kredisë së re në euro.

Kredia

Sistemi bankar ka ndërmjetësuar rritjen e kredisë në lekë për sektorin privat dhe publik me ritme pozitive. Kështu, ndërsa oferta monetare është rritur me ritme me te ngadalte vjetore, rreth 4.4 për qind, agregati në lekë “M2” ka ruajtur ritme të larta të rritjes vjetore prej 9.7 për qind në muajin korrik. Ngadalësimi i ritmit të kreditimit të ekonomisë në valutë dhe oferta më e ulët e prurjeve valutore nga sektori i jashtëm kanë rezultuar në një ritëm negativ vjetor të rritjes së depozitave në valutë të sistemit. Kredia për sektorin privat u rrit me 15.8 për qind në terma vjetorë nominalë, nga 17.9 për qind në qershor. Kredia për biznesin ka dhënë kontributin kryesor në rritjen mujore të kredisë, një fenomen ky i përhershëm por që këtë muaj vjen veçanërisht më i theksuar. Kredia në lekë ka ruajtur normën mesatare të rritjes vjetore gjatë këtij viti, prej rreth 28-30%, por ngadalësimi i kredidhënies në valutë ka sjellë uljen e ritmit të rritjes së kredisë.

Mungesa e parasë, bie niveli i eksporteve dhe importeve

Kriza ekonomike ka sjell pasojat e saj muajt e fundit edhe në vendin tonë, ku rënia është ndjerë sidomos tek volumi i eksporteve dhe importeve. Sipas raportit më të fundit të BSH-së, të dhënat nga sektori i jashtëm për tremujorin e dytë 2009, dëshmojnë për një rënie të mëtejshme në terma vjetorë të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me botën. Sipas të dhënave paraprake, këto tendenca zhvillimi kanë vazhduar edhe gjatë muajit korrik. Eksportet u ulën me rreth 17 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Zhvillime të ngjashme janë shfaqur edhe në ecurinë e importeve, të cilat shënuan një rënie prej rreth 8 për qind në terma vjetorë. Zhvillimet në ekonominë e jashtme janë shoqëruar me ruajtjen e niveleve të larta të deficitit tregtar, të cilat ndikojnë në zhbalancimin e raporteve të kërkesës dhe të ofertës për valutë në ekonomi. Ruajtja e fleksibilitetit të kursit të këmbimit, tendenca korrektuese e deficitit tregtar dhe atraktiviteti i kursimeve në lekë, në formën e normave më të larta të interesit dhe të inflacionit të ulët, i shërbejnë lëvizjeve të qeta dhe të kujdesshme të kursit të këmbimit si dhe një pozicioni të fortë të lekut në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Shpenzimet e larta, qeveria ka thelluar më tej deficitin buxhetor

Banka e Shqipërisë është e shqetësuar për ritmin tepër të lartë të shpenzimeve qeveritare të cilat vetëm sa kanë thelluar deficitin buxhetor. Politika fiskale ka vijuar të ruajë një natyrë ekspansioniste edhe gjatë muajit korrik, ndonëse me ritme më të moderuara. Të ardhurat buxhetore kanë qëndruar në të njëjtat nivele të realizimit të planit me muajt paraardhës - rreth 94 për qind - ndërkohë që shpenzimet janë përmbushur me rreth 98 të planit, duke ruajtur të njëjtin nivel me tre muajt paraardhës. Ky efekt ka favorizuar zgjerimin e deficitit buxhetor në këtë periudhë. Ashtu si e kemi theksuar dhe më parë, rritja e deficitit buxhetor dhe e shpenzimeve publike mbështet aktivitetin ekonomik në kushtet e kërkesës së pakët të ekonomisë, por ajo shoqërohet edhe me tendencën rritëse të normave të interesit të borxhit publik. Rishikimi në rritje i nivelit të shpenzimeve publike dhe i deficitit buxhetor parashikohet ta ruajnë këtë ndikim edhe për pjesën e mbetur të vitit 2009, ndërkohë që një pozicion më i ekuilibruar fiskal për vitin 2010 do reduktonte presionin mbi tregjet monetare duke krijuar më shumë hapësira për rritjen e stimulit monetar.

Kriza në ekonomi, rrezikohet rritje çmimesh në të ardhmen

Në mbledhjen më të fundit të saj të Këshillit Mbikëqyrës, BSH-ja ka evidentuar edhe rrezikun që mund ti vijë konsumatorit shqiptar dhe ekonomisë vendase nga një rritje e papritur çmimesh. Sipas raportit më të fundit “një rrezik në kahun rritës për çmimet e konsumit është përcjellja më e lartë e tendencës së fundit rritëse të çmimeve të lëndëve bazë në tregun botëror. Ecuria e kursit të këmbimit, e pritjeve inflacioniste si dhe pozicioni fiskal i vendit do të vazhdojnë të kushtëzojnë balancën e rreziqeve në të ardhmen”. BSH-ja përmend edhe faktorë të tjerë në analizën e saj siç janë, ritmi i ulët i rritjes së shitjeve me pakicë dhe të të ardhurave buxhetore, ngadalësimi i eksporteve, ekspansioni më i ulët i kredisë për ekonominë dhe indekset e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve tregojnë se ekonomia shqiptare është në një fazë më të ngadaltë rritjeje se ajo e vitit të shkuar. Qetësimi i pritshëm i këtyre zhvillimeve në kushtet e një ambienti financiar të stabilizuar mirë, do të krijojë hapësirat e duhura për rritjen e stimulit monetar në ekonomi në ta ardhmen sipas BSH-së.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›