E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë rikthen në Apel kërkesën e Ilir Kumbaros



Laureta Rryçi

Gjykata e Lartë riktheu për shqyrtim në Gjykatën e Apelit të Krimeve të rënda kërkesën e avokatëve të Ilir Kumbaros. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje për gazetën “Albania” se shkak është bërë procedura e ndjekur nga mbrotjësit e ish-SHIK-asit që akuzohet për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Avokatët e Kumbaros depozituan pak javë më parë pretendimet e tyre se përse nuk ishte e vlefshme masa e sigurisë ndaj klientit të tyre. Kjo kërkesë u rrëzua nga kolegji penal i krimeve të Rënda. Më pas mbrojtësit i janë drejtuar Gjykatës së Lartë pa kaluar një herë për shqyrtim në Apel. Kolegji penal në Gjykatën e Lartë që drejtohej nga relatori Andi Çeliku është shprehur se kjo kërkesë më parë duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda dhe më pas do të shprehet Gjykata e Lartë.
Pretendimet
Pas njohjes me dosjen, dy avokatët, Vojo Bregu dhe Bledar Fejzo, të përzgjedhur nga djali i Kumbaros, iu drejtuan gjyqtarëve me dy kërkesa. Avokatët e Ilir Kumbaros kërkuan gjatë procesit të Krimet e Rënda që klienti i tyre të lante duart me Drejtësinë shqiptare. “Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi është bërë kompetente për hetimin e çështjes me vendimin e prokurorit të Përgjithshëm, duhet të kërkonte, nëse do ta shihte të nevojshme, caktimin e masës së sigurimit edhe për Ilir Kumbaron, sikundër ka kërkuar dhe për të pandehurit e tjerë Sefgjini dhe Koldashi. Pra, vetë organi i akuzës ka pranuar dy standarde në zbatim të ligjit procedural lidhur me caktimin e masës së sigurimit. Për të pandehurit Sefgjini dhe Koldashi ka pranuar se vendimi i arrestit e ka humbur fuqinë, prandaj dhe ka kërkuar masë sigurimi, ndërsa për të pandehurin Kumbaro pranon të kundërtën, kur të gjitha këto vendime janë dhënë nga Gjykata në të njëjtën kohë dhe të njëjtën fazë të procesit të hetimit”, - thuhej në kërkesën e avokatëve. E njëjta kërkesë u depozitua dhe në Gjykatën e Lartë vetëm pak ditë më parë për të cilën kolegji vendosi gjykimin e saj në Apel.
Vendimi
Kolegji penal në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i kryesuar nga gjyqtari Xhelal Elezi vendosi pak javë më parë të rrëzonte të dyja kërkesat e avokatëve të Kumbaros. Sipas gjykatës nuk u takon atyre të përcaktojnë nëse duhet të qëndrojë i njëjti prokuror për vijimësinë e procesit. Ata i këshilluan avokatët se një kërkesë të tillë mund ta drejtonin vetëm te kryeprokurorja Ina Rama. Ndërsa për kërkesën e dytë ata e argumentuan se shuarjen e masës së sigurisë mund ta kërkojë vetë i pandehuri ose avokati të cilit ai i ka dhënë personalisht prokurë. Ndërsa në rastin në fjalë avokatët kanë prokurë nga i biri. Megjithatë, sërish ata janë shprehur në seancat e mëparshme se i kanë pranuar si të vlefshme aktet e prokurorisë të dorëzuara në fillim në dosje, kështu që edhe atë masë sigurimi ata e kanë cilësuar si një nga dokumentet e rregullta të dorëzuara nga institucioni i akuzës.

Gjykata e Lartë lë në qeli gjermanin e arrestuar për drogë

Kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi dje të rikthente në qeli shtetasin gjerman që akuzohet për trafik lëndësh narkotike, Daniel Elgert. Burime pranë kësaj gjykate shpejgan dje se pasijanë dëgjuar të dyja palët, kolegji ka vendosur të lërë në fuqi vendimet e mëpërpashme të Gjykatave të Krimeve të Rënda. Elgert u arrestua rreth dy muaj më parë nga skuadra e operacioneve speciale e antikrimit. Policia gjatë këtij operacioni arriti të sekuestronte rreth 40 kilogramë heroinë me vlerë gjysmë milioni euro. Në të vërtetë çifti që u arrestua ishin rumun me shtetësi gjermane, ata po tentonin të kalonin kufirin shqiptar. Arrestimi i Englert u bë në në Rinas. Sipas burimeve, ka qenë një informacion i ardhur nga homologët gjerman që ka vënë në lëvizje strukturat e hetimit të krimet në Shqipëri. Të njëjtat burime thanë se prej të paktën 2 muajsh personat në Shqipëri janë mbajtur në përgjim e survejim, derisa është zbuluar ngjarja. Dy shqiptarët e arrestuar dyshohen se organizojnë trafikun e heroinës nga Shqipëri në drejtim të Greqisë dhe me destinacion Gjermaninë. Gjermanët kishin ardhur në Shqipëri edhe një muaj më parë. Burime pranë grupit të hetimit thanë për Gazetën se, nuk kanë pasur informacione se ata do të transportonin lëndë narkotike. Sipas policisë, gjermanët kanë provuar dhe parë terrenin duke bërë rrugën e parë bosh, për një rrugë të dytë ku do të tentonin të kalonin drogën. Lënda narkotike dyshohet të ketë hyrë në Shqipëri nga Maqedonia dhe ka për orgjinë Turqinë. Ende është mister për policinë mënyra sesi ajo ka hyrë në Shqipëri.

Gjykata u komunikon mjekëve akuzën për mitmarrje

Mjekët e arrestuar tri ditë më parë u paraqitën dje para togave të zeza për rivlerësim të masës së sigurisë. Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës shpjeguan dje se mjekët nuk kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Sipas tyre nuk është e drejtë që drejtësia po sillet në këtë mënyrë me ta duke iu dëmtuar gjithë këto vite karriere në sistemin shëndetësor. Mirëpo asnjë prej fjalëve të tyre nuk kanë lehtësuar pozicionin që kishin në këtë hetim. Gjykata ka lënë në fuqi të njëjtat masa sigurie për ta duke i rikthyer sërish në “arrest shtëpie”. Mjekët qëe janë vënë në “arrest shtëpie” janë vënë Petrit Rexhepi 56 vjeç Shef Pavijoni te “Koço Glozheni”; Dritan Xhangolli, obstetër në këtë maternitet; Hyra Reçi, infermiere-mami; Nilka Ferhati, mami. Gjithashtu në arrest shtëpie është vënë edhe Lefter Mano, anestezist po në këtë maternitet. Sipas deklaratës së policisë, specialistët e seksionit Kundër Korrupsionit pranë Policisë së Tiranës, në sajë të një hetimi intensiv 8- mujor, i realizuar me teknika speciale të hetimit, në bashkëpunim me Njësinë Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë përfunduar me sukses operacionin policor të koduar “Trashëgimtari”. Personat e arrestuar dyshohen se për këtë periudhë 8 -mujore hetimi, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme parash, kundrejt ofrimit të shërbimit mjekësor në (lindje normale dhe lindje me operacion), për disa shtetase. Procedimi penal në ngarkim të tyre, filloi mbi bazën e disa kallëzimeve të kryera nga disa paciente, të cilat kanë deklaruar se stafi mjekësor i lartë përmendur, kanë përfituar prej tyre, një shumë të konsiderueshme parash, për ofrimin e shërbimeve mjekësore të mësipërme. Nga specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik - Financiar ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, nën akuzën e “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal. Vendimet e Gjykatës, për ndalimin e tyre u ekzekutuan në banesë dhe në ambientet ku ata ishin të punësuar.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›