E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, stacionet e karburantit ne vend do te kenë kasa fiskale qendrore



Ervin KOÇI

Bizneset e tregtimit me pakicë të hidrokarbureve në të gjithë vendin do të pajisen deri në fund të këtij viti me kasa fiskale ku duhet të pajisin çdo blerës me kuponin tatimor. Çdo stacion i tregtimit me pakicë të hidrokarbureve do të ketë të instaluar nga një kasë fiskale që do të jetë e lidhur me rrjetin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të kontrolluar mbarëvajtjen e aparaturës dhe xhiron. Kjo gjë është vendosur pas debatesh dhe diskutimesh të shumta mes përfaqësuesve të bizneseve të hidrokarbureve dhe qeverisë e cila deri para pak kohësh kishte propozuar një projekt maqedonas. Sipas tij çdo pompë furnizimi me karburant për automjetet duhet të kishte më vete nga një kasë fiskale regjistrimi. Por kjo gjë nuk u pranua nga Kryesia e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, me pretendimin se kostoja për instalimin dhe mirëmbajtjen e tyre ishte shumë e lartë për subjektet. Kjo është konfirmuar edhe dje pas takimit të përfaqësuesve të kësaj shoqate me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prift. Në këtë takim është biseduar për një sërë problemesh të rëndësishme që shqetësojnë sipërmarrjet e naftës dhe të gazit dhe që kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të dikasterit për zgjidhje institucionale.

Ankesat

Presidenti i Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, i ka parashtruar ministrit Prifti, një sërë shqetësimesh në fushën e hidrokarbureve, të ligjit dhe të zbatimit praktik të tij. Aliaj tha se ka ardhur koha të rishikohet plotësisht ligji “Për hidrokarburet” dhe se nevojitet rregullim i plotë i tregut sidomos në ndërtimin e stacioneve të shitjes me pakicë të hidrokarbureve, si dhe të instalimeve bregdetare. President i SHSHH tha se “është i nevojshëm rregullimi ligjor në përputhje me rregullat e standardet e BE, për sa i përket numrit të stacioneve të shitjes me pakicë në raport me numrin e popullsisë, numrin e stacioneve në 100 km2, si dhe mjetet motorike”. Aliaj kërkoi që e drejta e marrjes së licencës për një stacion të ri tregtimi duhet të fitohet me ankand të hapur, pasi të jetë caktuar paraprakisht territori ku mund të ndërtohet stacioni. Në takim u diskutua edhe nevoja për përcaktimin me ligj të depozitave bregdetare, respektimin e raporteve stokazh (depozita) – konsum dhe u theksua se kufizimi i depozitave në mënyrë të panevojshme vetëm se rrit koston e produkteve dhe çmimin e tregtimit të karburanteve. U kërkua gjithashtu zgjidhje ligjore për depozitimin e gazit të lëngshëm të naftës, një problem që i ka vënë në vështirësi të mëdha kompanitë shqiptare që importojnë këtë produkt.

Cilësia

Shoqata e Hidrokarbureve shprehu në takim shqetësimin e saj të përsëritur lidhur me cilësinë e produkteve hidrokarbure në treg, duke kërkuar që të përcaktohet ligjërisht standardi i cilësisë për prodhimin vendas. Kryesia e SHSHH i kërkoi Ministrit Prifti të shihet mundësia e riorganizimit të Inspektoratit Qendror Teknik, në mënyrë që kontrolli i cilësisë, i standardeve dhe detyrimeve ligjore për kompanitë që janë licencuar në treg të jetë i barabartë, i pavarur dhe transparent. Kryesia e Shoqatës i kërkon METE-s dhe nëpërmjet saj Qeverisë dhe Kuvendit të ndryshojë ligjin ekzistues për rezervat e sigurisë së produkteve hidrokarbure. Detyrimi i pastudiuar ligjor i vendos kompanitë importuese në një pozicion jofleksibël në raport me çmimet në bursën e produkteve të importuara, rëndon padrejtësisht koston e produkteve dhe krijon përshtypjen e gabuar se “kompanitë e naftës abuzojnë me çmimin e tregtimit”. Nga ana e tij, ministri Dritan Prifti, bëri të ditur se do të kërkojë në mënyrë të menjëhershme respektimin e ligjit për vendosjen e shenjës së importuesit dhe emërtimin e njëjtë të produktit në të gjitha pikat e shitjes së hidrokarbureve. Kreu METE-s bëri të ditur se për vitin 2010, Qeveria ka miratuar propozimin për të ndërtuar edhe katër laboratorë të kontrollit të cilësisë së karburanteve dhe të gazit të lëngshëm, me qëllim rritjen e cilësisë së produkteve të ofruara në treg.

KfW financon projektin “Linja 110 kilovolt, Shqipëria e Jugut”

Banka Gjermane për Zhvillim dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kanë nënshkruar në Tiranë një kontratë konsulence për projektin "Linja 110 kilovolt, Shqipëria e Jugut". Ky investim, i cili bashkëfinancohet nga shteti gjerman, pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, në veçanti në pjesën e jugut të saj.
Zbatimin e projektit do ta bëjnë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nga pala shqiptare dhe “Fischtner GMbH ßamp; Co. KG” nga pala gjermane. Përveç fondit grant për shërbimet e konsulencës, qeveria gjermane u angazhua që në vitin 2008 që të mundësojë një financim deri në 49 milion euro këtë projekt. Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, pas nënshkrimit të kontratës, ka vlerësuar kontributin e Gjermanisë për shëndoshjen e sektorit energjetik shqiptar. Nga viti 2008, qeveria gjermane ka angazhuar me shumë se 180 milionë euro në sektorin energjetik të Shqipërisë. Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), ka siguruar financime për një gamë të gjerë projektesh. Duke përfshirë këtu linjën e transmetimit 400 Kilovolt Tiranë-Podgoricë. Gjithashtu përmirësimin e prodhimit të energjisë, transmetimit dhe shpërndarjes në Jug të Shqipërisë, krijimin e një mjeti kreditimi për investimet në fushën e termocentraleve të vegjël, projektin për ndërtimin e linjës së transmetimit 400 Kilovolt Tiranë-Prishtinë, që filloi javën e kaluar etj.

Kudrin: Rusia ka dalë nga recensioni, gati investimet në Ballkan

“Rusia nuk ndodhet më në recension, e ka kaluar tashmë”. Kështu ka deklaruar dy ditë më parë ministri rus i Financave, Alexei Kudrin, i cili ka paraqitur analizën ekonomike të gjigantit euro-aziatik pas krizës ekonomike globale. “Sot mund të themi se Rusia ka dalë nga recensioni dhe mund të themi gjithashtu që ne do të kapërcejmë çdo vështirësi për t’i hapur rrugën investimeve, sidomos atyre ruse në rajon por dhe në zona të tjera të Europës si në Ballkan”,- ka deklaruar kreu i Financave ruse. Ministri Kudrin, ka thënë vetëm disa ditë më parë, se vendi i tij do të dilte nga recensioni në përfundim të tremujorit të tretë të vitit 2009. Por përveç kreut të Financave ruse, deklarata të forta për daljen nga recensioni kanë dhënë kohët e fundit edhe presidenti Rus, Dimitri Medvedev si dhe kryeministri rus Vladimir Putin. Këta dy të fundit në deklaratat e tyre në lidhje me krizën ekonomike dhe mbi situatën e ekonomisë së Rusisë, kanë nënvizuar se ekonomia e shtetit të tyre po shkon drejt stabilizimit edhe pse është shumë herët për të folur për një dalje totale nga kriza, kur dihet se ajo do t’i shtrijë pasojat e saj të paktën në disa vite. Rusia ka qenë për një kohë të gjatë e prekur nga kriza ekonomike botërore për shkak të rënies së kursit botëror të hidrokarbureve, të cilat përbëjnë rreth 60 për qind të bazës së të ardhurave të ekonomisë për këtë vend. Për të rifituar sërish pozicionin e dikurshëm, kompanitë e mëdha ruse që operojnë në sektorin e hidrokarbureve kanë parashikuar dhe kanë nisur investime të mëdha një pjesë e të cilave shtrihen përgjatë rajonit të Ballkanit dhe nuk përjashtojnë as mundësinë për të përfshirë në to edhe Shqipërinë. Për vitin 2009 qeveria ruse ka parashikuar një rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 8.5 për qind, ndërkohë që në tremujorin e dytë PBB-ja e Rusisë u ul me 11 për qind.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›