E Shtunë, 31 Tetor 2026

FILMIMET E VOTAVE, si falsifikuan PD-PS mijëra vota të LSI-së në Shkodër



Nga “Faktori plus”

Lëvizja Socialiste për Integrim është një nga subjektet politike që besohet se mund të jetë persekutuar nga numërimi i votave. Duke mos pasur të drejtën e një komisioneri, kjo parti, e cila është forca e trete politike në vend, mendohet se nuk ka rezultatin real për të cilin mund të kenë votuar shqiptarët. Nga hetimi i “Faktor plus” në Qendrën Nr. 255 në Shkodër, LSI-ja ka marrë 26 vota dhe për të janë numëruar 16 vota. Në disa qendra të tjera rezultati është shtuar me një ose dy vota.
Nëse shkohet te një mesatare e përgjithshme, i bie që kësaj partie t’i jenë hequr nga 5 deri në 8 vota për qendra votimi, çka në një qark si Shkodra mund të rezultojë në rreth 2000 vota të munguara.
Vetë LSI-ja e ka pasur objekt të debatit të saj politik, pra dhe disa ditë pas zgjedhjeve, çështjen e vjedhjes së votave. Një ditë pas zgjedhjeve, më 29 qershor, kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, doli para gazetarëve për të denoncuar kryeministrin Sali Berisha si autor të shkatërrimit të procesit të numërimit të votave.
Shkodra
Ai përmendi pikërisht Shkodrën, periferinë e Tiranës dhe Beratin si zona problematike. Në një lidhje direkte me studion e Vizon Plusit në mbrëmje, Meta e përsëriti këtë qëndrim. Ai mblodhi Kryesinë e partisë dhe vendosi të bëjë një raport denoncues për ndërkombëtarët. Paralelisht me ankesat ndaj ndërkombëtarëve, Meta vendosi kontakte joformale me drejtues të fushatës së Partisë Socialiste në Tiranë dhe i kërkoi Partisë Socialiste ndihmë për të kaluar pragun e votave në Tiranë. Si me një magji, brenda pasdites së të hënës, në një shkollë në dy qendra numërimi në Tiranë, socialistët arritën të shtonin rreth 500 vota për LSI-në dhe në mbrëmje Meta u konfirmua deputet.
Ky veprim, i cili u bë pas ndërmjetësimesh të njerëzve të afërt me Edi Ramën, në të vërtetë tregon se procesi ishte i prekshëm dhe se votat mund të shtoheshin pa ndonjë problem të madh si nga PS-ja, ashtu dhe nga PD-ja. Këtë e konfirmon më së miri një intervistë e Dritan Priftit pas zgjedhjeve në TV Vizion Plus, i cili dëshmoi se ishte i rrezikuar të mos fitonte në Fier. Të martën, më 30 qershor, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, po në Vizion Plus, përsëriti shqetësimin e partisë së tij për vjedhjen e votave. Paralelisht me LSI-në, disa zëra ndërkombëtarë po shprehnin shqetësimin për parregullsi në procesin e numërimit. Kështu, më 1 korrik, zëdhënësi i OSBE-së, Heshenbaher, tha se standardet ndërkombëtare u arritën pjesërisht, ndërkohë që Presidenca suedeze e BE-së shprehu shqetësimin për problemet në procesin e numërimit.
Deklaratat
Më 2 korrik sërish pati një deklaratë të Petrit Vasilit, i cili kërkonte të shmangej procesi i vjedhjes së votave të LSI-së. Më 3 korrik Berisha vendos urat e para të kontaktit me Ilir Metën dhe më 4 korrik i bëri thirrje publike të hyjnë në bashkëqeverisje. Meta iu përgjigj brenda orës dhe pas kësaj mbaroi dhe historia e manipulimit të votave. Ilir Meta nuk e përsëriti më këtë kërkesë. Vetë Berisha deklaroi se LSI-ja ishte një parti e persekutuar prej Kodit. Tashmë pyetja që lind është e thjeshtë: Nëse Berisha dhe Meta vlerësojnë më shumë standardet se rezultatin, atëherë ata duhet të provojnë nëse i janë hequr apo i janë shtuar vota LSI-së në kutitë e votimit. Kjo është një provë që do të na tregojë të gjithëve ku bazohet aleanca mes dy partive që formojnë sot shumicën parlamentare.

Marrë nga TV Vizion Plus

Provat për Shkodrën, mijëra vota u falsifikuan dhe u tjetërsuan

Hetimi paraprak përmes regjistrimeve problematike, i siguruar prej kamerave vëzhguese në qendrat e votimit, përmbys rezultatin për shumicën e shpallur në Parlamentin shqiptar. “Faktori plus” bashkëpunoi me një grup ekspertësh që po hetojnë regjistrimin prej kamerave të KZAZ-ve të Shkodrës dhe përfundimet e para janë tronditëse. Nëse merret mesatarja e manipulimit në favor të PD-së në KZAZ-në Nr. 40, që i përket qytetit të Shkodrës dhe që është KZAZ-ja më pak e manipuluar, rezulton që PD-ja të ketë shtuar në gjithë qarkun e Shkodrës rreth 9 mijë vota në favor të saj, pra një mandat deputeti. Nëse marrim KZAZ të tjera, si ajo me numër 42, që i përket periferisë apo zonës së Pukës dhe e konsiderojmë si mesatare, atëherë shifra mund të jetë mbi 12 mijë vota. Në Qendrën e Votimit Nr. 0255 në Shkodër. sipas procesverbalit të dorëzuar në KQZ, PD-ja ka marrë 327 vota, kurse sipas rinumërimit që u bë nga kamera, ajo rezulton se ka marrë 273 vota, pra ka një shtesë prej 54 votash në favor të PD-së. Po në këtë qendër votimi, Partia Republikane, sipas procesverbalit, ka 26 vota, por, sipas rinumërimit nga monitorët ka 14 vota. Pra i bie që PR-së i janë shtuar 12 vota. Interesant është fakti se i janë shtuar dhe Partisë Socialiste 6 vota, pasi në procesverbal ka 162, kurse realisht ka 156 vota. Pra socialistëve u kanë dhënë sa gjysma e partisë së Fatmir Mediut. Por, më e dëmtuara në këtë qendër votimi duket se është partia e Nikollë Lesit, që i kanë hequr 16 vota. Në procesverbal ai figuron me 3 vota, ndërkohë që nga rinumërimi i bërë falë pamjeve filmike ai ka marrë 19 vota. Nëse këto shifra merren si maksimumi i manipulimit, atëherë i bie që Partia Demokratike në Shkodër, nëse ka shtuar nga 54 fletë në çdo qendër, mund të ketë shtuar teorikisht rreth 20 mijë vota. Por, nga llogaritë për gjithë KZAZ-të, del se mesatarisht PD-ja ka shtuar rreth 25 vota për qendër votimi, çka e çon në gati 9 mijë vota të vjedhura prej saj në një qark, shifër kjo e mjaftueshme për t’i hequr PD-së një deputet. Ky deputet mund të kalojë në favor të PS-së ose të LZHK-së.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›