E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjerman: Disa kërkesa të opozitës mund të realizohen nga maxhoranca



Vetëm një ditë pas deklaratës së përfaqësuesit të OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh dhe ambasadorit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, ka reaguar dje ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borkardt. Gjatë një prononcimi për mediat ambasadori gjerman është shprehur se mungesa e opozitës në Kuvend rrezikon bllokimin e reformave të rëndësishme për vendin, siç janë ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe realizimin e reformës në Drejtësi. Që të dyja këto kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, që detyrimisht kërkojnë praninë e opozitës në Kuvend dhe konsensusin e saj. “Opozita duhet të jetë e pranishme në Kuvend për arsyen se disa reforma të rëndësishme kanë nevojë për një numër të caktuar deputetësh. Opozita duhet t’u përmbahet direktivave të OSBE/ODHIR-it si dhe raportit të Bashkimit Europian, pasi vendimet e rëndësishme dhe reformat, siç është ajo e Drejtësisë, kanë nevojë për opozitën”, - deklaroi ambasadori gjerman në Shqipëri, Borkardt, i cili ka ftuar opozitën të kthehet në Kuvend.
“Bashkimi Europian ka dhënë tashmë një deklaratë mjaft të qartë në lidhje me këtë. Rekomandimi im do të ishte që të shohim drejt së ardhmes dhe ato rekomandime që janë bërë tashmë dhe në raportin e OSBE/ODIHR-it të merren parasysh dhe të zbatohen”, - është shprehur ambasadori. Ai ka tentuar që të bindë dhe shumicën se për një pjesë të kërkesave që bën opozita mund të kishte dhe zgjidhje ligjore. “Nuk jam një ekspert i Kushtetutës dhe i Kodit Zgjedhor shqiptar, ndaj dhe nuk mund të jap një vlerësim në lidhje me këtë. Megjithatë, ka dhe kërkesa të tjera të opozitës, të cilat mund të zbatoheshin dhe viheshin në jetë. Po përmend p.sh. ndryshimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizioneve, KKRT, apo të bordit të Radio Televizionit Publik, RTSH. Pra, ka disa kërkesa që nga ana ligjore mund të realizohen”, - është shprehur ambasadori i Gjermanisë.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›