E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Brenda 2010-s, KE-ja do të marrë vendim për heqjen e vizave



Kryeministri Berisha është shprehur dje gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin se Komisioni Europian ka vullnet pozitiv për të hequr regjimin e vizave për Shqipërinë, por këtë proces, sipas tij, e kanë ngadalësuar zgjedhjet dhe pasaportat biometrike. Gjithsesi, Berisha shprehu bindjen se brenda vitit 2010 Shqipëria do të përfitojë nga ky proces. “Klima është pozitive dhe shumë miq të Shqipërisë, përfshi dhe Parlamentin Europian, kanë inkurajuar Komisionin. Unë jam i bindur se edhe vetë Komisioni Europian ka vullnet të plotë, por mendoj se ka ndikuar çështja e pasaportave biometrike dhe çështja e zgjedhjeve. Kjo është normale, pasi në periudhë zgjedhore nuk merren vendime të mëdha për arsye se do të ndikonin në procesin zgjedhor. Sigurisht që është e ndershme dhe e drejtë që të ketë neutralitet dhe të mos ndikohet”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka dhënë informacion rreth pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike dhe ka bërë thirrje për nëpunësit e administratës shtetërore që të aplikojnë për këto pasaporta. “Mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit është thirrur për të shqyrtuar të gjithë dokumentin bazë mbi të cilin do të bazohet vlerësimi i heqjes së vizave. Heqja e vizave dhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë përbën një nga arritjet më madhore të shqiptarëve, e pritur në shekuj. Ndaj, përmbushja e çdo detyrimi që rrjedh nga ky proces është detyrë e të gjitha detyrave tona. Qeveria, agjencitë që varen prej saj dhe institucione të tjera, në funksion të kërkesave të Komisionit Europian për heqjen e vizave janë të detyruar të programojnë të gjitha burimet për të zbatuar masat e kërkuara. Në programin e qeverisë tonë, zotimi është që brenda vitit të parë të këtij mandati të merret vendimi për heqjen e vizave. Shqipëria nuk u klasifikuar në tri vendet e para dhe është e qartë, pasi nuk mund të mohohet që ne në reformën e dokumenteve të identitetit kemi qenë më mbrapa sesa vendet për të cilat u mor vendimi në muajin korrik. Megjithatë, konstatoj se ky proces po ecën me ritme të shpejta, madje mund të them me ritme më të shpejta nga ç’mund të parashikohej. Janë printuar mbi 190 mijë pasaporta biometrike, aplikimet shkojnë në 201 mijë dhe janë tërhequr rreth 150 mijë pasaporta biometrike nga qytetarët. Megjithatë, është rasti që t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët për qëllime të ndryshme udhëtojnë jashtë shtetit, që t’i marrin këto pasaporta në mënyrë që të realizohet numri më i lartë i mundshëm i pajisjes me pasaporta biometrike. U bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës, të cilët për një arsye apo për një tjetër dalin jashtë shtetit, të jenë të parët që t’i marrin pasaportat biometrike, pasi përqindja apo numri i këtyre pasaportave është një kriter i rëndësishëm në vendimin e Komisionit Europian”, - është shprehur Berisha.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›