E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH analizon ecurinë e ekonomisë: Bankat kanë ulur interesat e kredive

TIRANE-  Bankat kanë reflektuar uljen e normës bazë të interesit për lekun të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë, duke reduktuar interesat e kredive në monedhën vendase. Ndërkohë që kjo nuk është reflektuar te interesat e bonove të thesarit, që gjatë dy ankandeve të fundit kanë shfaqur prirje rritëse.

“Ulja e normës bazë të interesit, në nivelin 4.5% është reflektuar në lehtësimin e kostos së huamarrjes për bankat, ndërkohë që pritet tejçimi i plotë i kësaj ulje edhe në segmente të tjerë të tregut me maturitet më të lartë. Për ankandin e bonove do të thotë që tregu funksionon.”- deklaroi Guvernatori Ardian Fullani.

Banka e Shqipërisë ka evidentuar një gjallërim të konsumit dhe investimeve private, megjithëse inflacioni ka pësuar rënie, duke zbritur në janar në 1.6%, poshtë objektivit minimal të përcaktuar nga Banka Qendrore.

“Inflacioni është mirë ankoruar dhe Banka e Shqipërisë njëkohësisht do të jetë vigjilente për çdo zhvillim të ekonomisë së jashtme dhe të brendshme.”- u shpreh Fullani.

Pasi ka analizuar ecurinë e ekonomisë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar në 4.5% normën bazë të interesit për lekun.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›