E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest shtëpie për trafikantin e arratisur, KLD hesht

Tiranë Gjyqësori shqiptar mund të jetë vendi i çudirave. Kur Gjykata e Lartë mori një vendim në favor të Ilir Metës, duke thënë se zëri që ne dëgjonin në video nuk ishte i tij, menduam se ky do të ishte më e madhja marrëzi që mund të bëhej. Por duket se marria nuk ka fund.

Kthesa e Kamzës, pranë spitalit Hygea kjo ishte adresa e shtëpisë në të cilën Gjykata e Apelit në Tiranë siguroi një shtetas turk, i cili kërkohej nga drejtësia gjermane për trafikimin e një ton heroine. Policia u end plot një muaj duke kontrolluar të gjitha pallatet tek kthesa e Kamzës në Tiranë, të cilat ndodhen pranë spitalit grek, me shpresën se do të gjente se ku është duke qëndruar në arrest shtëpie trafikanti turk.

Por turku kishte marrë arratinë pa shkuar fare në apartamentin që aksush nuk e mëosi se ku ndodhet. Ai është sot zyrtarisht i arratisur dhe në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa gjykatësi që mori këtë masë, pra që e nxori nga burgu, vazhdon të jetë në punë, në Gjykatën e Apelit në Tiranë, me adresë: Pranë lumit Lanë.

Prokuroria e ankimoi vendimin e Apelit duke e çuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për rikthimin e trafikantit në arrest burgu. Ndërkohë, prokuroria nisi një tjetar proces ndaj tij, atë për akuzën e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe në Tetor 2011, gjyakta e shkallës së parë në Tiranë, e dënoi atë me 1.6 muaj burg. Ndërsa turku dënohej për arratisje nga shtëpia që ndodhet në adresën Kthesa e Kamzës, pranë spitalit Hygea, Gjykata e Lartë vazhdonte të shtynte seancën për masën e sigurisë.

Dhe më në fund, Gjykata e Lartë, e mori vendimin në datën 29 Shkurt. Ajo la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, pra sigurimin e shtetasit turk Abduselam Turgut, në arrest shtëpie, sërish në adresën Kthesa e Kamzës, pranë spitalit Hygea.

Pra, Gjykata e Lartë vendosi sigurimin në arrest shtëpie të një të kërkuari ndërkombëtar, pikërisht në shtëpinë që askush nuk e di ku është, apo në shtëpinë nga ku ai është arratisur tashmë. Dhe për këtë vepër ai edhe është dënuar. Trafikantit turk nuk i interesiojnë më këto favore të gjykatës shqiptare, pasi ai ndërkohë është i lirë dhe askush nuk e di ku ndodhet. Por së paku gjykata duhej të kishte dhënë një vendim të denjë për një gjykatë.

Ndërkohë institucioni përgjegjës për kontrollin e drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë,  edhe pse nisi një kontroll në Gjykatën e Apelit, për tëe parë sa është respektuar ligji në sigurimin e një shtetasi në arrest shtëpie, në një apartament pa adresë, nuk nxori asnjë konkluzion.

Dhe, ndërsa KLD është duke pësuar metamorfozën e paprecedentë të shndërrimit në parti politike, Gjykata e Lartë i ka vënë vulën një vendimi korruptiv.

Mentor Kikia

Shkrime të tjera me interes:

  1. “21 janari”, Gjykata: “Arrest shtëpie” për Prendin, Kumen dhe Kasën Tiranë- Gjykata e Tiranës kërkoi ditën e sotme masë “arrest...
  2. Prendi qëndron në ‘arrest shtëpie’, përjashtohet Sollaku Tiranë- Ndrea Prendi do të qëndrojë në ‘arrest shtëpie’. Ky...
  3. Gjykata e Tiranës: “Arrest me burg” për 5 zyrtarët e AKKP-së Tiranë- 5 zyrtarëve të Agjensisë së Kthimit dhe Kompesimit të...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›