E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH apel qeverisë: Kujdes me borxhin publik

TIRANE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani i kërkon qeverisë uljen e borxhit publik me qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Të ardhurat në rënie si dhe shpenzimet e larta buxhetore kanë thelluar deficitin , të cilin qeveria është detyruar ta financojë nëpërmjet kredive. Kjo ka rritur borxhin publik të vendit deri në nivelin e 58% të produktit të përgjithshëm kombëtar. “Rritja e shpejtë e shpenzimeve dhe deficiti buxhetor gjatë vitit 2009 ka rritur më tej nivelin e borxhit publik, i cili vlerësohet rreth 58% të PBB në fund të muajit nëntor. Banka e Shqipërisë gjykon se orientimi i politikave të ardhshme buxhetore drejt konsolidimit fiskal me qëllim reduktimin e borxhit përbën tashmë një parakusht për stabilitetin makroekonomik të vendit. Sic e kemi theksuar dhe më parë, reduktimi i borxhit publik do të ulë presionin e sektorit publik mbi tregjet financiare duke krijuar më shumë hapsirë në sektorin privat” theksoi Fullani. Në këto kushte Banka e Shqipërisë ka mirëpritur nismën e Ministrisë së Financave për të rishikuar buxhetin e këtij vitit, projekt që është dërguar për miratim në qeveri. “Banka e Shqipërisë mirëpret lëvizjet e fundit përsa i përket korrektimit të buxhetit. është në linjë të plotë me sugjerimet tona, është në linjë të plotë me zhvillimet ndërkombëtare” u shpreh Fullani. Guvernatori Fullani ka pranuar se presion mbi ekonominë e vendit do të kenë edhe përmbytjet në qarkun e Shkodrës. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, kjo situatë do të shoqërohet me më pak produkte bujqësore në treg, ndërkohë nuk përjashtohen edhe ndikimet mbi buxhetin, megjithëse kjo do të jetë në varësi të faturës së dëmeve, e cila ende nuk ka dalë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›