Rehabilitimi i zonave të përmbytura, diskutime me donatorët
TIRANE- Qeveria shqiptare nis diskutimin me donatorë të huaj e vendas për rehabilitmin e zonë së përmbytjeve në qarqet Shkodër e Lezhë. Në takimin që Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile ka zhvilluar këtë të mërkurë, ambasadori i KE-se Lohan, ambasadori Spanjoll Montobio si dhe përfaqësues të Bankës Botërore kanë deklaruar se do të mbështesin pranë institucioneve të tyre në Europë financimin e projekteve që do të paraqiten nga qeveria shqiptare për rehabilitimin e plotë dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja. Numri një i Komitetit Ndërministror dhe ministër i Brendshëm Lulzim Basha në takim u shpreh se është e rëndësishme që në hapin e parë të kryejmë rehabilitimin e dëmeve dhe riaftësimin e zonës së prekur nga përmbytja. Por ndërkohë në plan afatmesëm dhe afatgjatë qeveria Berisha synon kryerjen e veprave të mëdha infrastrukturore publike, që jo vetëm do të mbrojnë Shkodrën nga përmbytje si këto që ndodhën, por do të nxisin një zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë ekonomik të të gjithë Qarkut të Shkodrës. Gjatë takimit u vendos marrja në shqyrtim së pari nga vetë ministritë e linjës e rreth 180 projekteve për investime lokale të përgatitura nga vetë njësitë vendore të Qarkut të Shkodrës. Brenda javës së ardhshme Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile do të vendosë mbi projektet që do të dërgohen për miratim në Këshillin e Ministrave në gjysmën e parë të shkurtit, Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile do të zhvillojë një takim të zgjeruar me komunitetin e donatorëve po për këtë cështje.(m.a/News24/BalkanWeb)