E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH hodhi në treg kartmonedhën e re 2000 lekë

Sasia e kartëmonedhave të rishtypura, të prerjes 2000 lekë, është e pajisur me elementet më moderne të sigurisë. Kartëmonedha ka si tematikë periudhën ilire dhe si përfaqësues është zgjedhur 

TIRANE- Banka e Shqipërisë, hodhi sot në qarkullim kartëmonedhën e re me vlerë 2000 lekë.
Burime nga Banka e Shqipërisë, bënë të ditur sot, se e gjithë sasia e kartëmonedhave të rishtypura, të prerjes 2000 lekë, është e pajisur me elementet më moderne të sigurisë.
Ndërkohë, ekspertët e Bankës sqarojnë publikun, se prerja e re është një rregullim i strukturës aktuale, duke plotësuar një boshllëk të madh midis dy prerjeve ekzistuese, me vlerën nominale më të madhe që janë 1000 lekë e 5000 lekë.
Konceptimi i kartëmonedhës së re 2000 Lekë, është realizuar duke kombinuar tematikën, pamjen e jashtme, elementet e sigurisë dhe procesin e shtypjes. Kartëmonedha ka si tematikë periudhën ilire dhe si përfaqësues është zgjedhur mbreti Gent,(v.181 Para Krishtit), portreti i të cilit është vendosur në pamjen e përparme të kartëmonedhës. Në pjesën e pasme, është vendosur pamja e amfiteatrit të Butrintit dhe lulja Gentiana. Periudha ilire nuk ka qenë e përfaqësuar deri tani në serinë e kartëmonedhave shqiptare.
Burime nga BSH-ja, bëjnë të ditur se, nga kjo periudhë, si figurë u përzgjodh mbreti Genti, pasi ky i fundit njihet nga historia si prerësi i monedhës së përbashkët për të gjitha qytetet ilire të kohës dhe si zbuluesi i vetive kuruese të bimës Gentiana, emri i së cilës vjen pikërisht nga emri i tij. Nga pamja, kartëmonedha e prerjes 2000 Lekë, ka ruajtur të njëjtin koncept me kartëmonedhat e serisë që janë aktualisht në qarkullim, duke u bërë në mënyrë të natyrshme pjesë përbërëse e saj. Shtypja e kësaj kartëmonedhe i është nënshtruar një procesi bashkëkohor, duke bërë që ajo të rreshtohet përkrah kartëmonedhave të tjera, që përmbushin standardet më të mira.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›