E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shqiptare ndryshon mënyrën e marrjes borxh



Ndryshe nga vendet e rajonit, Shqipëria e ka borxhin i jashtëm tri herë më të ulët se borxhin e brendshëm. Në fakt kjo justifikohet më së shumti me pabesueshmërinë që ka paraqitur ambienti ekonomik dhe politik për tu kredituar nga bankat e huaja. Për fat të mirë apo të keq për shkak të kësaj situate, Shqipëria në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ka nivelin më të ulët të borxhit në rajon me vetëm 54.9 për qind, ndërkohë që në vende të tjera si, p.sh. Kroacia, ky tregues është më shumë se 80 për qind e PBB-së. Duke parë këtë hapësirë të pashfrytëzuar në limitet e borxhit qeveria ka ndryshuar krahun e marrjes hua. Ky proces vitin që shkoi u ndihmua shumë nga vlerësimi që “Moody”-s, një nga kompanitë më të mëdha të normimit të borxhit në botë bëri për vendin tonë. Shqipëria për herë të parë ka të klasifikuar nivelin e riskut dhe bankat e huaja i kanë të qarta aftësitë shlyerëse të borxhit nga vendi ynë. Kjo u vërtetua këtë vit ku Ministria e Financave nëpërmjet një ankandi mori 270 milionë euro kredi nga bankat private për të financuar punimet e nisura në segmentin e ri të rrugës Durrës-Kukës. Më parë kredi të huaja janë marrë vetëm nëpërmjet marrëveshjeve institucionale që qeveria shqiptare ka nënshkruar me qeveri të tjera dhe institucione financiare. Kjo mënyrë marrjeje borxh ka qenë e shoqëruar me kushte dhe me procedura të stërzgjatura që shpesh herë janë shndërruar në pengesa në realizimin e qëllimit për të cilin ishin marrë. Vlerën më të lartë të borxhit të jashtëm shteti shqiptar e ka ndaj Bankës Botërore dhe bankave të tjera të kësaj natyre. Ndërsa borxhi i brendshëm në pjesën më të madhe të tij me më shumë se 34 për qind, mbahen nga Banka “Raiffeisen”. Sipas marrëveshjes me FMN-në dhe detyrimeve që kemi për anëtarësim në BE, stoku i borxhit nuk duhet të jetë më shumë se 60 për qind e PBB-së.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›