BSH-ja mban të pandryshuar në 6.25 për qind normën bazë të interesit të Lekut
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e zhvilluar dje, pasi vlerësoi zhvillimet e fundit në ekonominë vendase dhe të jashtme, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit të Lekut në nivelin 6.25 për qind. Sipas BSH-së, ky vendim mbështetet në situatën e stabilizuar makroekonomike, në përputhjen e faktorëve të kërkesës dhe ofertës dhe në parashikimet për presione të kontrolluara inflacioniste në periudhën e ardhme. Gjatë periudhës korrik-shtator të këtij viti ka vijuar rritja e kredisë me 43 për qind, ose 29 miliardë lekë kundrejt vitit të kaluar. Por, pavarësisht panoramës pozitive, banka bën apel për kujdes. Institucioni Mbikëqyrës Bankar njofton se po monitorohet me kujdes situata. Ajo rendit edhe disa nga pasojat që mund të ketë ekonomia vendase nga kriza financiare globale, të cilat do të reflektohen në kushte më të vështira për financimin e aktivitetit me një rënie të kërkesës së huaj të të ardhurave nga emigrantët dhe investimeve të huaja direkte. Sipas BSH-së të gjitha këto mund të sjellin një ritëm më të ulët rritjeje gjatë vitit 2009.
BB, asistencë qeverisë për klimën e biznesit
Një ekip i Bankës Botërore, “Doing Business”, është takuar dje me kryeministrin Sali Berisha. Në këtë takim, ky ekip i prezantoi kreut të qeverisë punën e bërë deri tani dhe e siguroi se ata do të vazhdojnë deri në arritjen e rezultateve të kërkuara nga qeveria. Ekipi i BB-së, “Doing Business”, kryesohej nga Marialisa Motta, e cila shoqërohej nga përfaqësuesja e BB-së në Tiranë, Camilla Naumah. Ky ekip ndodhet në Tiranë për të vazhduar asistencën ndaj qeverisë shqiptare për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në Shqipëri. Ekipi i BB-së i prezantoi kryeministrit Berisha punën e bërë deri tani dhe e siguroi se ata do të vazhdojnë deri në arritjen e rezultateve dhe objektivave të kërkuara nga qeveria. Ata i prezantuan kryeministrit Berisha me hollësi rekomandimet dhe sugjerimet për thellimin e mëtejshëm të reformave. Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi ekipin për ndihmën e dhënë më parë, rezultat i së cilës ishte renditja e Shqipërisë në vend të dytë në ekonomitë më të reformuara dhe me klimë të mirë për biznes.
27 Nentor 2008