Kriteret dhe llojet e emigrantëve që pranohen në Britaninë e Madhe
Dy janë kriteret kryesore aktuale për të shkuar në Britaninë e Madhe si emigrantë ekonomikë në fundin e vitit 2008. Pikësëpari është e nevojshme që të keni mbaruar një shkollë të lartë, preferohet e ciklit të dytë (master), të keni njohuri në anglisht dhe të merrni një pagë vjetore ekuivalente të 40 mijë paundëve në Britani. “Qeveria britanike mendon se mund të plotësojë nevojat e tregut artizanal, industrial dhe bujqësor të punës, ku zakonisht kërkohen emigrantët e pakualifikuar, me punëtorë nga vendet e Bashkimit Europian, që me përjashtim të Rumanisë dhe Bullgarisë, nuk kanë kritere për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar”, - thotë qeveria britanike, duke u hequr shansin emigrimit të punëtorëve të paarsimuar. Ministria e Brendshme britanike deklaroi se ka shkurtuar 200 mijë profesione në listën e saj. “Numri i pozicioneve të pranueshme për emigrantët është ulur nga 1 milion në më pak se 800 mijë, duke siguruar se vetëm punëtorët e huaj që ne kemi nevojë dhe asnjë më shumë të vijë këtu”, - deklaroi departamenti i Ministrisë së Brendshme të Britanisë. Për më tepër, ulja e këtij numri është bërë edhe nga një presion i brendshëm në Britani. Kjo, pasi ligjet britanike nuk mund t`u mbivendosen ligjeve të BE-së. Si pasojë, Mbretëria e Bashkuar është e detyruar të pranojë emigrantë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, që kanë dëshirë të emigrojnë drejt saj. Pas zgjerimit të numrit të vendeve anëtare të BE-së, nga 15 në 27, në një hark kohor prej vetëm 5 vitesh, Britania ka pasur një fluks të konsiderueshëm emigrantësh nga vendet e reja anëtare, kryesisht nga Polonia, Rumania dhe Bullgaria. Gjithsesi, edhe për pozicionet e pranueshme të punës, kandidatët do të duhet të plotësojnë kriteret aktuale dhe të konkurrojnë me anë të sistemit të pikëve. Por kjo gjë nuk është e vlefshme për tregun e zi të punës, i cili jo vetëm që favorizon emigracionin klandestin drejt këtij vendi, por edhe mban në punë me mijëra emigrantë klandestinë që punojnë në të zezë dhe që çdo ditë rrojnë me rrezikun e kapjes dhe riatdhesimit.
Kohëra të vështira për 1,5 miliardë punëtorë
Nju Jork - Kriza globale ekonomike pritet të sjellë pasoja deri te zvogëlimi i rrogave të qindra milionë punëtorëve në mbarë botën vitin e ardhshëm. Kjo bëhet e ditur në raportin e Organizatës Ndërkombëtare për Punë “ILO”, të publikuar mbrëmë. "Priten kohëra të vështira për 1,5 miliardë pranues të rrogës", - deklaroi drejtori i Përgjithshëm i ILO-së, Huan Somavia. "Rritje e ngadalshme ose negative ekonomike, në kombinim me rritjen e shpejtë të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, do t`i ‘hanë’ rrogat e shumë punëtorëve, veçanërisht të atyre me të ardhura të ulëta dhe familjeve më të varfra. Klasa e mesme, po ashtu, do të pësojë pasoja të mëdha", - bëhet e ditur në raport.
Rusët ruajnë 25 miliardë dollarë nëpër bankat zvicerane
Moskë - Rusët ruajnë nëpër bankat zvicerane rreth 32 miliardë franga apo 25.5 miliardë dollarë. Lajmi është publikuar nga agjencia ruse e lajmeve “Interfaks”, duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Banka Nacionale e Zvicrës “BNZ”. Sipas të njëjtave burime, kjo shumë është deponuar në bankat lokale dhe në filialet e “BNZ”-së në pajtim me vitin 2007 nga persona fizikë dhe juridikë të Rusisë.
27 Nentor 2008