E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi: Qeveria do të fusë në përdorim sërish letrat me vlerë



Qeveria vendosi rikthimin në përdorim të letrave me vlerë (bono privatizimi) të emetuara në vitin 1995 dhe të zhvlerësuara pas vitit 1997. Sipas kryeministrit Sali Berisha, rikthimi i letrave me vlerë nuk do të ketë efekt negativ në ekonominë e vendit. Në vitin 1995 janë emetuar nga qeveria e asaj kohe, me propozim të Ministrisë së Financave dhe të shpërndara nga Banka e Shqipërisë, letrat me vlerë, të njohura si “bono privatizimi”, me anë të të cilave qeveria e asaj kohe synonte të bënte një lloj shpërndarje të pasurisë kombëtare nëpërmjet një bonusi të caktuar për çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç. Por kriza e thellë financiare pas rënies së skemave piramidale në vitin 1997 dhe qeveria e re i bëri ato inekzistente. Që nga ajo kohë kanë kaluar rreth 13 vjet dhe nga ana e qeverisë së djathtë ka pasur një zotim se “ajo nuk do t’i mohojë ato, por se do të gjejë mënyrën e trajtimit”. Në vitin e emetimit të tyre, për arsye jo të qëndrueshme, por më shumë si një jehonë, ato imituan lekët e privatizimeve të objekteve shtetërore, ndërkohë që lekët nga ky proces kishin destinacion të dëmshpërblenin ditët e vuajtjes në burg për ish-të përndjekurit dhe të persekutuarit e regjimit komunist. Bonot e privatizimit, në asnjë vend dhe në asnjë rast, nuk janë cilësuar si para kesh. Si hap fillestar në përdorimin e tyre qeveria ka parashikuar dhënien e së drejtës pronarëve për ta parablerë me letra me vlerë një objekt të nxjerrë në privatizim. Ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave do të bëjnë modelimin dhe ekuivalentimin e tyre, duke krijuar një lehtësi për pronarin për të parablerë objektin e nxjerrë në privatizim.

Raporti i Konkurrueshmërisë Globale: Shqipëria, e fundit për konkurrencë

Shqipëria është vendi i fundit në rajon përsa i përket konkurrueshmërisë së ekonomisë. Duke iu referuar Raportit të Konkurueshmërisë Globale, që e rendit Shqipërinë në vendin 109 nga 130 vende të listuara, ekspertët e ekonomisë kanë evidentuar problemet e shumta me të cilat përballet biznesi, ku më i mprehti mbetet korrupsioni. Ekspertët e ekonomisë kanë vënë në dukje rritjen galopante të deficitit tregtar që ka arritur këtë vit në rreth 320 miliardë lekë. Ky tregues mund të kthehet në një rrezik serioz për zhvillimin e vendit në kushtet kur të ardhurat nga emigrantët mund të bien, si pasojë e krizës financiare globale.
Ekspertët kanë vlerësuar si shumë shqetësuese për tregun shqiptar edhe monopolet, të cilat, sipas tyre, fiksojnë çmime të larta, pavarësisht ecurisë së bursave ndërkombëtare. Një tregues ky që evidentohet në raportin e Konkurrueshmërisë Globale me eficencën e tregut, për të cilin ne renditemi në vendin e parafundit në rajon.

27 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›