E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, miratim kërkesës së LSI-së për komision hetimor për tragjedinë



Konferenca e Kryetarëve dje në Kuvend ka miratuar kërkesën e LSI-së për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar “Për hetimin e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me zhvillimin e reformave në fushën e mbrojtjes që siguron anëtarësimin në NATO dhe çështjet e sigurisë kombëtare që rrjedhin nga problematika që ka krijuar procesi i çarmatimit”. Objekti i hetimit të këtij komisioni është i lidhur me mënyrën e zbatimit të strategjisë kombëtare në fushën e zhvillimit të procesit të reformimit të ushtrisë dhe përgatitjes së saj për t’u anëtarësuar në strukturat e NATO-s. Komisioni do të ketë objekt hetimi hapat konkrete dhe efektivr që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në përgjithësi dhe Ministria e Mbrojtjes në veçanti për përgatitjen e kushteve dhe standardeve që do të bëjnë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Gjithashtu do të hetohen veprimet dhe procedurat si dhe e tërë problematika që trajton Ministria e Mbrojtjes që kanë të bëjnë me problemet e Sigurisë Kombëtare ,të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me procesin e çarmatimit apo eliminimin e armatimit të vjetër stok. Ky komision do të synojë vënien në dijeni të Kuvendit nëse ka patur një strategji apo plan veprimi lidhur me procesin e çarmatimit nga Ministria e Mbrojtjes dhe a ka qenë dhe është i mjaftueshëm kuadri ligjor në fuqi dhe mbi ç’akte ligjore apo nënligjore kanë vepruar deri tani strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Kuvendi duhet të njihet me faktin se si paraqitet aktualisht gjendja me stokun e municionit dhe armatimit që duhet eliminuar, vendosjen e tij si dhe rrezikshmërinë që paraqet imediatisht. Si është trajtuar ky problem dhe si mendohet të veprohet në të ardhmen për parandalimin e katastrofave dhe ngjarjeve të rënda. Kuvendi duhet të informohet nëse kanë qenë të rregullta dhe të bazuara në ligj orientimet, veprimet dhe procedurat e ndjekura nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes ( Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoritë Operative, MEICO etj) për operacionet e zhvilluara në drejtim të trajtimit, asgjësimit apo shitjes së armatimit të municioneve stok. Ky komision do të përbëhet nga 13 anëtarë, 7 nga maxhoranca dhe 6 anëtarë nga opozita. Kryetar i këtij komisioni do të jetë përfaqësues i opozitës. Afati i këtij komisioni do të jetë 3-mujor, duke filluar nga data e miratimit të përbërjes së tij.
Kërkesa për ngritjen e këtij komisioni hetimor parlamentar u bë nga Lëvizja Socialiste për Integrim pas tragjedisë së Gërdecit.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›