Meta në Vorë: “Do të rimëkëmbim shkollën e dëmtuar nga shpërthimet”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, së bashku me zëvendëskryetarin e LSI-së Pëllumb Xhufi dhe deputetët Ndre Legisi dhe Nikollaq Neranxi, vizituan dje Bashkinë e Vorës, ku shprehën angazhimin e LSI-së për të mbështetur dhe kontribuar për përballimin e pasojave të tragjedisë së Gërdecit. Meta shprehu angazhimin e LSI-së për rindërtimin e laboratorëve dhe kabineteve në shkollat e dëmtuara në zonën e shpërthimit të rëndë. Njëkohësisht, në emrin e LSI-së, Meta dha edhe një kontribut financiar për familjet e dëmtuara, duke premtuar që të kthehet sërish për të parë përballimin e situatës dhe realizimin e angazhimeve të shprehura deri tani. “Në emër të LSI-së, dua t’ju shpreh nga afër jo vetëm shpirtërisht, por edhe formalisht këtu në Bashkinë e Vorës solidaritetin tonë më të thellë për të gjithë banorët e komunitetit tuaj që janë dëmtuar në një mënyrë tepër tragjike. Me këtë rast, dua të shpreh edhe angazhimin tonë të veçantë për të pajisur të gjitha ato shkolla që janë dëmtuar apo janë shkatërruar, në bashkëpunim me ju dhe me pushtetin vendor, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me Drejtorinë e Arsimit që mbulon këto shkolla, pra për të rindërtuar laboratorët dhe disa kabinete, të cilat do të ishin shumë të dobishme në veçanti për fëmijët në mënyrë që ata të fillojnë shkollën në kushte sa më normale dhe të fillojmë të mendojmë për një të ardhme më të mirë”, - tha Meta gjatë vizitës së tij në Bashkinë e Vorës.
27 Mars 2008