BSH, konkurs mes shkollave në Shkodër, “Vlera e vërtetë e parasë!”
Banka e Shqipërisë, në zbatim të programit të edukimit “Banka Qendrore në Jetën e Përditshme”, ka zhvilluar me nxënësit e viteve të treta të të gjitha shkollave të mesme të rrethit të Shkodrës konkursin “Vlera e vërtetë e parasë!”. Konkursi është një prej aktiviteteve të përfshira në Memorandumin e Bashkëpunimit, të nënshkruar midis Ministrisë së Arsimit dhe Bankës së Shqipërisë në datën 13 dhjetor 2007, i cili synon të zgjerojë njohuritë e nxënësve rreth rolit të Bankës Qendrore në ekonominë e vendit, si dhe të rrisë zhvillimin e kulturës ekonomike të vendit. Konkursi u zhvillua në teatrin “Migjeni”, ku pjesëmarrës ishin 17 shkolla të rrethit të Shkodrës. Ai u ndoq nga nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit, si dhe familjarët e pjesëmarrësve.
Në hapjen e konkursit, Guvernatori Fullani bëri publik vendimin e Bankës së Shqipërisë për ta shndërruar garën midis shkollave të mesme nga rajonale në një takim kombëtar. “Para një viti, në prill 2008 ky konkurs shënoi fillimin e tij në qytetin e Tiranës. Atëherë u premtova nxënësve që shumë shpejt konkursi do të jetë kombëtar. Të gjithë nxënësit e Shqipërisë do të kenë mundësinë të jetojnë këtë përvojë interesante në jetën e tyre, për të na dhënë edhe ne një kënaqësi të veçantë. Sot jam këtu para jush me këtë premtim të mbajtur!”, - tha z. Fullani para të pranishmëve në takim. Skuadra fituese e kësaj gare të gjatë në Shkodër do të konkurrojë në fazën finale që do të zhvillohet në rang kombëtar më 5 qershor 2009 në qytetin e Tiranës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në cilësinë e kryetarit të jurisë, përgëzoi nxënësit, mësuesit e shkollave pjesëmarrëse si dhe Drejtorinë Arsimore të Rrethit të Shkodrës për mbështetjen dhe realizimin e suksesshëm të këtij programi.
BSH do shqyrtojë portofolet e investimeve për muajin shkurt 2009
Ecuria e rezervës valutore dhe e portofolave të investimeve për muajin shkurt 2009 do të jetë një nga pikat kryesore në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë (BSH), që pritet të zhvillohet këtë javë. Në një njoftim për shtyp, BSH bënë të ditur se gjatë kësaj mbledhjeje Këshilli Mbikëqyrës pritet të shqyrtojë dhe informacionet "Për disa ndryshime në strukturën organizative të Bankës së Shqipërisë" dhe "Për një shtesë në planin e investimeve të Bankës së Shqipërisë për vitin 2009". Sipas BSH-së, rolin kryesor në rritjen e investimeve e kanë luajtur flukset hyrëse të kapitalit në sektorin financiar dhe në atë të komunikacionit, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.