E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më shumë para qarkullojnë jashtë bankave

10/04/2009  Banka e Shqipërisë

Më tepër para qarkulluan jashtë bankave gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar. Shkak për këtë fenomen është tërheqja e një pjese të madhe të kursimeve të shqiptarëve nga sistemi bankar, por edhe hedhja në treg e sasive të mëdha të parave për shpenzime nga qeveria. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fundin e periudhës është konstatuar një rritje e shpejtë e parasë jashtë bankave, e cila është ndikuar kryesisht nga rrjedhja e depozitave të sistemit bankar. Në analizën e tyre për vitin 2008, ekspertë të Bankës së Shqipërisë theksuan se përqendrimi i shpenzimeve buxhetore ka qenë gjithashtu një faktor. “Në të njëjtën kohë, presionet nga sektori fiskal për shkak të përqendrimit të shpenzimeve buxhetore në fundin e periudhës kanë nxitur rritjen e parasë në qarkullim”, - theksuan ekspertët. Zhvillimet e këtij treguesi, sipas ekspertëve kanë rezultuar të luhatshme gjatë gjithë vitit 2008. “Në gjysmën e parë të vitit, ky tregues ka vijuar prirjen rënëse në nivele të ulëta historike, duke pësuar një rënie mesatare pre 4,4 për qind. Kjo tendencë vërehet edhe në ritmin e ulët të bazës monetare, e cila në terma vjetorë u rrit me vetëm 2,2 për qind në pjesën e parë të vitit, krahasuar me normën prej 11 për qind të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar”, - theksuan ekspertët. Pesha mesatare e parasë jashtë bankave, sipas raportit, pësoi rënie në krahasim me vitin e kaluar. “Gjatë tremujorit të fundit ky raport rezultoi rreth 3 pikë përqindje më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e pretendimeve neto të sistemit ndaj qeverisë me rreth 30 miliardë lekë në fundin e periudhës, nxiti zgjerimin e M2 kryesisht nëpërmjet komponentit të saj likuid, parasë jashtë bankave”, - theksohet në raport.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›