E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, deficiti tregtar arrin 25,878 milionë lekë

10/04/2009  Sipas INSTAT-it në muajin shkurt është thelluar diferenca mes importeve dhe eksporteve

Rritja 22,1 për qind. Në krahasim me janarin kanë hyrë më shumë mallra nga jashtë

Kriza globale ka ndikuar në uljen e eksporteve shqiptare dhe futjen në tregun vendas të mallrave me çmim më të lartë. Rrjedhimisht është thelluar diferenca mes tyre, duke bërë që deficiti tregtar për muajin shkurt të arrijë në 25,878 milionë lekë. Në janar kjo shifër sipas INSTAT-it ishte 21,2 milionë lekë. Instituti i Statistikave raportoi dje se në muajin shkurt të këtij viti u eksportuan 7,511 milionë lekë mallra. Kjo shifër është me rritje 13.1 për qind në krahasim me muajin janar të këtij vitit, por rënia vihet re në krahasim me muajin shkurt të një viti më parë, ku ulja është me 14.9 për qind. Nga ana tjetër më shumë mallra kanë hyrë nga jashtë, duke bërë që shifra e importit të arrijë në 33,389 milionë lekë mallra. Kjo shifër është rritur me 19.9 për qind në krahasim me muajin janar 2009. Gjithashtu, kjo shifër është rritur me 1.2 për qind në krahasim me muajin shkurt të një viti më parë. “Deficiti tregtar i këtij muaji është 25,878 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 22.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 7.1 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2008”, - theksuan specialistët e Institutit të Statistikave. Specialistët theksojnë se në disa grup-mallrash është vënë re një rritje e eksporteve shqiptare drejt tregjeve të huaja. Kështu, krahasimisht me muajin paraardhës duket se eksporti i grupit minerale, lëndë djegëse, apo energji elektrike” u rrit 2.6 herë. Në fakt, qeveria është shumë shfrytëzuar eksportin e energjisë elektrike me Greqinë dhe Kosovën për të mos lejuar thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar. Gjithashtu, grupi i mallrave lëkurë dhe artikujt prej tyre u rrit 19.2 për qind, grupi makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi që u rrit 15.4 për qind, si dhe grupi materiale ndërtimi dhe metale që u rrit 4.4 për qind. Sa i përket importit, mallrat e grupit produkte kimike dhe plastike u rritën me 36.6 për qind, si dhe materiale ndërtimi dhe metale u rrit 34.8 për qind. “Grupi ushqime, pije, duhan u rrit 22.3 për qind. Ndërsa importi i grupit minerale, lëndë djegëse, energji elektrike u ul 1.3 për qind”, - theksuan ekspertë të INSTAT-it. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti është rritur janë Greqia, Italia, Kina, Spanja, SHBA-ja. Ndërkaq, për importin rritje ka pasur shkëmbimi me Austrinë, Greqinë, Gjermaninë, Italinë, Zvicrën.

Vendet e BE-së

Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri 67.4 për qind. Sipas Institutit të Statistikave, partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. “Me Italinë eksporti është 65.3 për qind dhe importi 25.6 për qind. Kurse me Greqinë, eksporti është 9.7 për qind dhe importi 16.3 për qind”, - theksuan specialistët e INSTAT-it.

Mallrat e akcizës

Në shkurt 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3.046 milionë lekë, duke zënë 9.1 për qind ndaj totalit të importit. “Krahasuar me janarin e 2009, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 1.9 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës, me 62.8 për qind”, - thanë specialistët e Institutit të Statistikave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›