E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH krediton qeverinë, zhvlerësohet leku

Gjatë pesë muajve të fundit, Ministria e Financave ka tërhequr 20 miliardë lekë (200 milionë dollarë, ose 152 milionë euro) kredi të drejtpërdrejtë nga Banka e Shqipërisë, një praktikë që ishte zbatuar për herë të fundit në vitin 2002. Kredia direkte është tërhequr në muajt dhjetor, janar, mars dhe prill. Gjatë dy muajve të fundit, qeveria ka mbuluar shpenzimet e veta duke marrë kredi direkte në shumën 7 miliardë lekë në muaj. Kredia direkte është asgjë më pak sesa një formë e rritjes së parasë në qarkullim dhe ndryshimit të politikës monetare. Shkurt, prodhon efekte nënçmuese për monedhën kombëtare, lekun, dhe inflacion.

Rritje e parasë në qarkullim

Qeveria shqiptare e kishte praktikë të zakonshme të merrte para te banka qendrore në vitet pas rënies së komunizmit, por me këmbënguljen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kjo praktikë u ndalua. Kredia direkt për qeverinë konsiderohet teorikisht dhe praktikisht rritje e masës së parasë në qarkullim dhe sjell gjithmonë presion mbi kursin e këmbimit si dhe rrit çmimet. Banka e Shqipërisë ndryshoi objektivin e politikës monetare, ku përfshihet edhe masa e rritjes së parasë në qarkullim në muajin mars, por refuzoi ta publikojë vendimin, duke e konsideruar atë si "çështje të brendshme".

Shkaku i zhvlerësimit të lekut

Qeveria e çliroi veten nga detyrimi për të mos e zhvlerësuar lekun përmes huamarrjes së brendshme në ligjin për huamarrjen shtetërore të miratuar në vitin 2006. "Ndryshimet në kursin e këmbimit valutor, pas emetimit të borxhit shtetëror [...], nuk përbëjnë shkelje të ligjit", - thuhet aty. Leku humbi 7 për qind të vlerës së vet kundrejt euros dhe 10 për qind kundrejt dollarit, gjatë këtij viti, duke rënduar xhepat e të gjithë shqiptarëve përmes rritjes së kostos së mallrave të importuara dhe rritjes së kësteve të kredive në valutë nëpër banka. Qeveria duket shumë pak e shqetësuar nga ky ndryshim. "Leku është zhvlerësuar shumë pak dhe rezerva valutore e vendit nuk është prekur ende", - komentoi ministri i Financave Ridvan Bode pak kohë më parë. Për Bankën e Shqipërisë, zhvlerësimi i lekut ishte një fenomen "i mirëpritur". Në dokumentet e Bankës së Shqipërisë, termi "zhvlerësim" përdoret posaçërisht për lëvizje të kontrolluara në kursin e këmbimit, ndërsa për luhatjet e zakonshme përdoret zyrtarisht termi "nënçmim" apo "mbiçmim". Këtë vit, për herë të parë, Banka e Shqipërisë filloi të përdorë termin "zhvlerësim", por nuk dha shpjegime për këtë ndryshim.

Ekspertët thonë se veprimtaria e qeverisë është shkaku kryesor i zhvlerësimit të lekut gjatë këtij viti, për shkak se konsumatorët kanë një ndikim margjinal. "Në rast se të ardhurat e individëve dhe kompanive në valutë, pakësohen ose mungojnë, njerëzit do të ndërpresin menjëherë konsumin dhe importet do të bien", - shpjegojnë ekspertët. Shqiptarët nuk mund të shpenzojnë para që nuk i kanë. "Remitancat janë vetëbalancuese në tregun e këmbimit valutore", - shpjegonte një bankier pak ditë më parë.

Qeveria është në një pozicion më komod. Ajo mund të shpenzojë edhe para që nuk i ka përmes huamarrjes apo rritjes së parasë në qarkullim.

Ndoshta kanë shkelur ligjin

Ekspertë bankarë bëjnë të ditur se Banka e Shqipërisë dhe qeveria ndoshta kanë shkelur ligjin organik me të cilin funksionon banka qendrore. Në ligjin për Bankën e Shqipërisë u sanksionua që Banka nuk mund të kreditojë qeverinë, me përjashtim të rasteve ekstreme, gjithmonë për një periudhë afatshkurtër prej jo më shumë se gjashtë muajsh, si dhe për shuma jo më të mëdha sesa 5 për qind e të ardhurave buxhetore.

"Në asnjë rast, shuma kryesore e kredisë ose huasë së disbursuar dhe pjesa e padisbursuar e kredisë ose huasë së Bankës të Shqipërisë dhënë qeverisë së Republikës së Shqipërisë nuk duhet të kalojë vlerën pesë për qind të mesatares vjetore të të ardhurave të buxhetit të qeverisë së Republikës të Shqipërisë për

tre vitet e fundit financiare paraardhës; me kusht që, në kuptim të këtij neni, ‘të ardhurat‘ nuk do të përfshijnë kreditë ose huatë, donacionet dhe forma të tjera të kontributeve financiare". Shuma prej 20 miliardë lekësh e kapërcen kufirin maksimal prej 5 përqindësh, pasi të ardhurat mesatare të buxhetit të shtetit për tre vitet e fundit kanë qenë 257 miliardë lekë, ndërsa kredia e marrë gjatë pesë muajve të fundit, është sakaq 7.8 për qind e të ardhurave. Ligji thotë se vetëm në "kushte të jashtëzakonshme", Banka e Shqipërisë mund të kreditojë qeverinë me më shumë se 8 për qind të të ardhurave mesatare. Ligji nuk përkufizon se çfarë konsiderohen "kushte të jashtëzakonshme", por sanksionon gjithashtu që Banka e Shqipërisë të raportojë në Kuvend në rast se përkufizimet e ligjeve shkelen.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›