BSH, më 29 dhjetor hedh në treg kartëmonedhën e re të prerjes 2000-lekëshe
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi dhe miratoi shtypjen e kartëmonedhës shqiptare të prerjes 2000-lekëshe, emetim i vitit 2007. Në zbatim të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë njofton publikun shqiptar se në datën 29 dhjetor 2008 do të hedhë në qarkullim kartëmonedhën e re, të prerjes 2000 lekë, emetim i vitit 2007.
Banka e Shqipërisë mori këtë vendim bazuar në kërkesat e tregut shqiptar, si dhe në përputhje me praktikat më të mira, të zhvilluara nga bankat qendrore, në fushën e emisionit të parasë. Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe do të plotësojë hapësirën aktuale midis prerjes 1000 lekë dhe asaj 5000 lekë, duke i krijuar njëkohësisht publikut lehtësi në kryerjen e pagesave në të gjitha njësitë e shitjes apo të shërbimeve të ndryshme. Natyrshëm, prerja 2000 lekë do të radhitet në vargun e prerjeve ekzistuese të kartëmonedhës shqiptare, duke bërë që seria e kartëmonedhave shqiptare të ketë të njëjtin ndërtim logjik me serinë e kartëmonedhave euro. Njëkohësisht, hedhja në qarkullim e kësaj prerjeje, do të ndihmojë mjaft edhe në përmirësimin e cilësisë të parasë në qarkullim, pasi do të zëvendësojë kartëmonedhat e dëmtuara të të gjitha prerjeve të tjera.
Konceptimi i kartëmonedhës së re 2000 lekë është realizuar duke kombinuar tematikën, pamjen e jashtme, elementet e sigurisë dhe procesin e shtypjes. Kartëmonedha ka si tematikë periudhën ilire dhe si përfaqësues është zgjedhur mbreti Gent, portreti i të cilit është vendosur në pamjen e përparme të kartëmonedhës. Në pjesën e pasme është vendosur pamja e amfiteatrit të Butrintit dhe lulja Gentiana. Periudha ilire nuk ka qenë e përfaqësuar deri tani në serinë e kartëmonedhave shqiptare. Nga kjo periudhë, si figurë u përzgjodh mbreti Genti, pasi ky i fundit njihet nga historia si prerësi i monedhës së përbashkët për të gjitha qytetet ilire të kohës dhe si zbuluesi i vetive kuruese të bimës Gentiana, emri i së cilës vjen pikërisht nga emri i tij. Nga pamja, kartëmonedha e prerjes 2000 lekë ka ruajtur të njëjtin koncept me kartëmonedhat e serisë që janë aktualisht në qarkullim, duke u bërë në mënyrë të natyrshme pjesë përbërëse e saj. Shtypja e kësaj kartëmonedhe i është nënshtruar një procesi bashkëkohor, duke bërë që ajo të rreshtohet përkrah kartëmonedhave të tjera, që përmbushin standardet më të mira. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë synon të arrijë nivelet e bankave të tjera qendrore të arritura në fushën e emisionit, duke përdorur elemente sigurie të zhvilluara kohët e fundit në këtë fushë. Kartëmonedha përmban elemente sigurie, të cilat janë lehtësisht të dallueshme nga publiku dhe që e mbrojnë atë nga falsifikimet e mundshme. Më konkretisht, kartëmonedha ka në përbërjen e saj këto elemente: ngjyra e purpurt; holograma; filli i sigurisë; filigrama; elementi që ndryshon ngjyrë në varësi të këndit të shikimit;
elementi i qosheve të përforcuara; relievi i saj është mjaft i ndjeshëm në prekje, sidomos tek pjesa e teksteve dhe numrave; është llakuar për ta mbrojtur atë nga lagështia.