Ligji për “Planifikimin e territorit” diskutohet me grupet e interesit
Në një takim të organizuar me përfaqësues të MPPTT, Bashkive, Komunave, Qarqeve, Shoqatës së Ndërtuesve dhe Arkitektëve, grupeve të tjera të interesit dhe në prani të ministrit Olldashi u bë paraqitja dhe diskutimi i variantit final të projekt ligjit për "Planifikimit të Territorit". Në fokus të takimit të djeshëm ishte zhvillimi i një debati të fundit mbi variantin final të këtij projekt ligji, i cili reflekton tashmë të gjitha vërejtjet, shqetësimet dhe opinionet e mbledhura nga aktorët e interesit, me qëllim paraqitjen sa më shpejt të tij në Këshillin e Ministrave e më pas në Parlament. Ministri Olldashi në fjalën e tij shprehu kënaqësinë që më në fund, mbas një pune shumë të gjatë ka një produkt, i cili do t’i japi një zgjidhje afatgjate problemeve themelore të menaxhimit të territorit. “Kemi një ligj të gjithanshëm, që bashkon dhe normalizon atë që do të jetë kuadri i ardhshëm ligjor i urbanistikës, një ligj që reflekton disa parime të rëndësishme dhe të domosdoshme për zhvillimin e territorit, duke filluar nga fakti që planifikimi bëhet i detyrueshëm për të gjithë institucionet qoftë për njësitë e qeverisjes vendore, qoftë për njësitë qendrore, një ligj që reflekton parimin e harmonizimit vertikal dhe horizontal të planifikimit, parimin e pranimit në heshtje, i cili shpëton nga burokracitë e stërzgjatura, qoftë të bashkive apo komunave dhe kemi një ligj, që është në përputhje të plotë me standardet evropiane”, - tha Olldashi. Diskutimet u fokusuan kryesisht në dy pika kyçe, si marrëdhënia pushtet qendror – pushtet vendor, duke qenë se në Shqipëri procesi i decentralizimit është një proces i ri, dhe në një nga vendimet politike të qeverisë shqiptare, që është ajo e futjes dhe në lejet e ndërtimit të parimit të miratimit në heshtje. Aktorët kryesorë të pranishëm në këtë tryezë mbështetën versionin final të projekt ligjit, shprehën mendimet dhe opinionet e tyre lidhur me të, si dhe domosdoshmërinë e dërgimit sa më të shpejtë të këtij dokumenti për miratim nga Këshilli i Ministrave e më pas nga Parlamenti. Projektligji i jep një forcë më të madhe planifikimit të detyruar, si një proces ku çdo hapësirë e territorit duhet të mbulohet me një plan zhvillimi apo me një strategji zhvillimi; ndan më qartë dhe delegon një numër më të madh kompetencash drejt autoriteteve të pushtetit vendor, si dhe ruan dhe konsolidon konceptin e pranimit të heshtjes, pra i heqjes së barrave të tepërta që shpeshherë përdoren si mekanizma abuzimi në kërkesat për dhënien e lejeve të ndërtimit. Projekt ligji vendos detyrime ndaj administratës nëse nuk përgjigjet në kohën e caktuar nga ky ligj, duke e konsideruar lejen të mirëqenë. Projektligji "Për planifikimin e territorit" mbështetet gjerësisht në parimet evropiane dhe ndërkombëtare, si Agenda 21 e Kombeve të Bashkuara "Për zhvillim të qëndrueshëm", Marrëveshja "Për perspektivën e zhvillimit hapësinor Evropian".
Projektligji është gjithashtu në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Programin Politik të Këshillit të Ministrave. Ai siguron decentralizimin e plotë të kompetencave si në hartimin e instrumenteve planifikuese ashtu dhe në miratimin e zbatimin e tyre. Është konsideruar se planifikimi do të ishte më i arritur, nëse realizohet nga ai nivel i qeverisjes, i cili është më i ndjeshëm ndaj problematikës dhe mund të vlerësojë objektivisht nevojën për zhvillim.