BSH: Çmimet e larta në vend, ndikim i tregjeve ndërkombëtare
Banka e Shqipërisë gjykon se rritja galopante e çmimeve të produkteve të shportës dhe disa prej shërbimeve jetike në vend është reflektim i tregjeve ndërkombëtare. Guvernatori Fullani deklaroi dje në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së se barra e çmimeve që është ndjerë nga konsumatorët shqiptarë dhe veçanërisht nga të varfrit do të vazhdojë në varësi të bursës ndërkombëtare, por, sipas tij, kjo është një situatë kalimtare. “Mallrat ushqimore dhe nafta kanë pasur një rritje të ndjeshme çmimesh, si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet botërore. Këta faktorë kanë dhënë një kontribut prej 80% në formimin e shifrës së inflacionit. Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore ka prekur më shumë shtresën e varfër të shoqërisë shqiptare. Banka e Shqipërisë në të gjitha projeksionet e saj të së ardhmes ka tashmë të inkuadruar ndikimin e rritjes së çmimeve dhe njëkohësisht do jetë mjaft e vëmendshme për efektin e raundit të dytë të këtyre çmimeve", - deklaroi Fullani. Sipas tij, rritja e çmimeve në tregjet e brendshme ka ndikuar në rënien e konsumit. Gjatë analizës së tij, guvernatori Fullani është shprehur se ka qenë kërkesa e shtuar që ka nxitur rritjen e çmimeve të lëndëve të para, të mallrave bazë dhe të artikujve ushqimorë, duke ndikuar në zhvendosjen e presioneve inflacioniste në kahun rritës. Megjithatë, sipas tij, inflacioni i çmimeve të konsumit në nivel botëror mbetet ende i përmbajtur, për sa kohë që ekonomitë e mëdha vazhdojnë të karakterizohen nga rritje ekonomike nën potencial. Ai u shpreh se kjo situatë pritet të jetë e përkohshme dhe nuk do të ndikojë te inflacioni, tregues ky që do të qëndrojë brenda objektivit të parashikuar nga Banka e Shqipërisë. “Banka e Shqipërisë, në parashikim me inflacionin, në të ardhmen ka faktorizuar parashikimet e FMN dhe Organizatës Botërore të Ushqimit për ecurinë e naftës dhe produkteve ushqimore. Nga goditjet e paparashikueshme të ofertës, ecuria e inflacionit do të jetë në përputhje me parashikimin e BSH”, ka theksuar Fullani. Që prej dhjetorit të 2010-ës çmimet e mallrave të shportës, si vaji, makaronat, orizi, mielli, gjithashtu karburantet dhe tarifat bankare janë rritur në mënyrë të vazhdueshme.