E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e larta, mazhoranca braktis Komisionin e Ekonomisë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 24-02-2011 21:22

Mazhoranca për herë të parë braktis Kuvendin. Kjo ka ndodhur dje gjatë seancës së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, kur deputetja socialiste në cilësinë e nënkryetares së komisionit ka dashur të bëjë publike kërkesat e opozitës ndaj qeverisë për çmimet e larta. Ajo ka debatuar ashpër me kryetarin e komisionit, Edmond Spahon, pasi ky i fundit nuk e ka lejuar atë të lexojë kërkesat e saj drejtuar institucioneve, duke e argumentuar se është jashtë rendit të ditës. Spaho iu drejtua Kodhelit se nuk duhet të shfrytëzojë këtë mbledhje për të bërë propagandë, por mund të dalë në konferencë për shtyp dhe të thotë ç’të dojë nga selia e Partisë Socialiste. “Ju nuk njihni as rregullore dhe as Kushtetutë”- u shpreh deputeti Flamur Noka. Ndërsa bashkë me kryetarin dhe deputetët e tjerë të mazhorancës braktisën seancën. “Ikni, ikni se është hera e parë”- tha deputeti Arben Malaj. Kurse Kodheli ka vazhduar të lexojë kërkesat e saj në prani të kolegëve të saj të opozitës dhe medias. Deputetja socialiste kërkoi që të thirren me urgjencë në komision ministrat Ridvan Bode dhe Naço si dhe drejtuesja e Autoritetit të Konkurrencës, që të japin sqarime të mëtejshme në lidhje me rritjen galopante të çmimeve si dhe privatizimet e 1280 objekteve publike. “Në komision të thirret së pari kryetari i Autoritetit të Konkurrencës. Duhet të japë sqarime lidhur me situatën shumë të rëndë të energjisë elektrike, hidrokarbureve dhe situatës bankare. Të thirret ministri i Ekonomisë, të japë shpjegime dhe sqarime lidhur me procesin, listën, qëllimet dhe përfitimet që synon qeveria shqiptare në privatizimin e ligjit 1280 objekteve publike dhe rritjen e pandalshme të çmimeve të të gjitha produkteve. Cilat janë masat e qeverisë në këtë rast, veprimet që ka ndërmend të marrë për shkak të kësaj rritjeje galopante. Të thirret ministri i Financave që të japë shpjegime mbi vendosjen e TVSH-së mbi ilaçet 10%”,- u shpreh deputetja Kodheli. Në të njëjtën kohë, deputeti socialist Erion Braçe ka akuzuar qeverinë për krijim të tregut monopol në shumë sektorë, për llogari të një grushti njerëzish të lidhur me pushtetin. “Në dy muajt e fundit çdo familje shqiptare është në vështirësi, ka humbur jetën që bënte për shkak të rritjes së pandalshme të çmimeve, monopoleve të politikanëve në pushtet, që po përcaktojnë çmimet e çdo produkti për shqiptarët. Secili në qeveri po përfiton, ndërkohë që cdo shqiptar i zakonshëm po paguan”, tha Brace. Ndërsa çmimet e larta të produkteve ushqimore, karburanteve, abuzimet me faturat e energjisë elektrike dhe tarifat e larta bankare janë kthyer në gangrenë për xhepat e varfër të qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›