Të përndjekurit, 446 emrat që do të dëmshpërblehen
Miratohet listat e radhës me emrat e 446 ish-të përndjekurve që do të përfitojnë dëmshpërblim nga shteti për dënimet politike që kanë kryer gjatë regjimit komunist. Vendimi i marrë dje nga Këshilli i Ministrave përcakton masat e dëmshpërblimit për 408 ish-të dënuar politik të regjimit komunist, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore dhe që kanë vuajtur dënimin e kryer me burg nga data 30.11.1944 deri më 01.10.1991, si dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital (të pushkatuar apo të ekzekutuar). Shuma e masave financiare, e përllogaritur sipas këtij vendimi, në total është 1 355 457 123 lekë. Në total, në listën e përfituesve të rinj të dëmshpërblimit janë përfshirë plot 455 emra ish-të përndjekurish, ku më konkretisht 408 janë persona që kanë vuajtur dënim me burg, 38 dënim kapital, dhe 9 nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim, për shkak të përfitimeve që kanë pasur nga ligjet e mëparshme. Lidhur me vendimin e djeshëm për dëmshpërblimin e të përndjekurve, kryeministri Berisha tha se qeveria po vazhdon disbursimet financiare të ish-të dënuarve politik të regjimit komunist, në përputhje me programin e premtuar. Masa e dëmshpërblimit, për ish-të dënuarit politik dhe familjarët e të dënuarve me dënim kapital, do të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politik të regjimit komunist”, të ndryshuar. Shuma e llogaritur transferohet në një llogari të veçantë në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues do të bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e përzgjedhura të nivelit të dytë, sipas nenit 33, të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar. Dje, qeveria miratoi edhe vendimin për miratimin e strukturës dhe të organikës së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri.