E Diel, 1 Nëntor 2026

Cosmote blen 48.2 milionë euro 12% të aksioneve të AMC-së



Cosmote blen aksionet e AMC-së që i kishin mbetur shtetit shqiptar ende në pronësi.

Një vlerë e konsiderueshme ka hyrë në arkën e shtetit nga shitja e 12% për qind të aksioneve të AMC-së. Eno Bozdo, zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, lajmëroi dje përfundimin e suksesshëm të privatizimit të paketës së aksioneve shtetërore prej 12.6%, në kompaninë AMC. Bozdo tha se çmimi më i lartë i ofruar për këtë paketë është 48.2 milion euro nga kompania Cosmote, një ndër katër kompanitë në garë.

Bozdo theksoi se procesi i privatizimit të AMC-së kishte filluar që në vitin 2000: “Kontrata e shitjes së aksioneve të AMC-së me kompaninë fituese (konsorcium) Cosmote/Telenor u nënshkrua në korrik 2000. Në bazë të ligjit, u krye shitja me tender të hapur ndërkombëtar e paketës prej 85% të aksioneve kompanisë Cosmote/Telenor, me një vlerë prej 85,6 milionë dollarësh amerikanë (USD) dhe më pas u transferua paketa prej 2,4% për qind për llogari të punonjësve të shoqërisë”.

Procesi i privatizimit për pjesën e mbetur të aksioneve filloi në korrik të vitit 2008: për këtë u miratuan aktet nënligjore përkatëse, në përputhje me të cilat u realizuan procedurat e transferimit të kësaj pakete. Ky proces u realizua nga stafi i METE-së dhe u mbështet nga kompania konsulente UNICREDIT Zagreb Kroaci, në bashkëpunim me të cilën u realizua procesi i vlerësimit dhe shitjes së aksioneve të mbetura shtetërore në shoqërinë AMC. Më pas, katër kompani u përfshinë në procedurat e garës: Nexus Private Equity Partner, Bedminster Capital Management, Axos Capital GmbH dhe Cosmote Mobile Telecommunications SA. Kompania Cosmote ofroi çmimin më të lartë, prej 48.2 milionë eurosh. Bozdo më tej u shpreh: “Çmimi i marrë është rezultat i profesionalizmit të stafit, por edhe transparencës në të gjitha hallkat e këtij procesi 8-mujor. Ne e konsiderojmë këtë shitje mjaft të suksesshme si dhe një provë e mëtejshme në besimin e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri, si dhe të momentit mjaft të mirë që po kalon ekonomia shqiptare. E gjitha kjo merr vlerë të dyfishtë, ndërsa ekonomia evropiane, por edhe e disa vendeve të rajonit, po shfaq shenja të recesionit”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›